Connect with us

Showbiz

Kori i Filharmonisë së Kosovës mban koncert në Gjilan duke respektuar masat anti COVID-19

Published

on

Kori i Filarmonisë së Kosovës ka mbajtur mbrëmë koncert në Gjilan, duke u kujdesur për publikun që sado pak ta harrojnë situatën me pandeminë COVID-19.

Tema muzikore të përpunuara dhe ngjyrosura nga mjeshtër shqiptar dhe ndërkombëtar, sollën atmosferë të këndshme muzikore, herë-herë me elemente etnike dhe mistike, të cilat u përcollën me duartrokitje të gjata nga publiku gjilanas dhe duke bërë që së paku për disa çaste të harrohen problemet pandemike me të cilat po vazhdojmë të ballafaqohemi.

Në këtë drejtim, forca e muzikës u tregua superiore brenda sallës koncertale të kolegjit “Don Bosko” ku në fillim, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri dhe drejtori i Filarmonisë sê Kosovës Baki Jashari , me një fjalë rasti, hapën koncertin duke premtuar se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë bashkëpunimin duke plotësuar kërkesat e audiencës artistike muzikore gjilanase.

Kori u drejtua nga dirigjenti tani i dëshmuar Hajrullah Syla me solistët Ilvije Dragusha, Safet Berisha, Shaban Behrami, Sokol Latifi, Luan Durmishi dhe të përcjellur edhe nga instrumentistët, pianisten Artemida Qarri dhe kitaristin Astrit Stafaj. Koncerti u përmbyll me veprën “Janinës ç’i panë sytë”, përpunuar në frymën e isopolifonisê shqiptare nga kompozitori kosovar Rafet Rudi.

Përkundër interesimit të shtuar, audienca, kësaj radhe për shkak të situatës ishte e reduktuar dhe në përpikmëri iu përmbajt rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së.

Koncerti është mbështetur nga Komuna e Gjilanit, tanimë e dëshmuar si përkrahëse e vazhdueshme e ngjarjeve kulturore në këtë komunë.