Connect with us

Sport

Shqiptarët nuk duhet të jenë tifozë të Maqedonisë së Veriut

Published

on

Rilind Dauti

Të enjten më në fund do të luhet ndeshja që u shty për shkak të pandemisë me virusin Kovid-19 në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për kualifikim në Kampionatin UEFA Euro 2020, e që poashtu u shty në një datë pa afat për shkak të pandemisë me koronavirusin.Qysh prej se u morr vesh që do të ndeshen Maqedonia e Veriut me Kosovën, dhe në veçanti tani që është duke u afruar ndeshja, në formë të gjysëm shakasë u parashtrua pyetja: për kë duhet të bëjnë tifozllëk shqiptarët në RMV, për Maqedoninë e Veriut apo Kosovën?Unë për vete që moti e kam marrë vendimin, dhe në fakt e kam bërë parim: në ndeshjet sportive ku luan përfaqësuasja e Maqedonisë së Veriut, gjithmonë jam tifoz kundër Maqedonisë së Veriut! Dhe tani që luan me përfaqësuesen e Kosovës, e kam edhe një arsye më tepër që të shpresoj në humbjen e saj.

Për një shqiptar të jetë tifoz i Maqedonisë së Veriut është mungesë krenarie, në mos naivitet. Si mund edhe të ankohemi për diskriminim nga shteti edhe të jemi tifozë të përfaqësuesëve të tij në sport?! Për më tepër, është pikërisht sporti arena ku shfaqet urrejtja më vulgare ndaj shqiptarëve me thirrjet “shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë” dhe “për shqiptarët dhoma gazi”! Dhe nga kush sigurohen ndeshjet vendase të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut? –Nga policë që pranojnë që në uniforma t’iu shkruajë emri i ri “Maqedonia e Veriut” që u miratua për t’ia bërë qejfin Greqisë, por të njëjtit policë refuzojnë në uniforma t’iu shkruajë edhe në shqip, që flitet nga minimum 1 e katërta e popullsisë! (E mos të flasim për brutalitetin që këta policë e ushtrojnë ndaj shqiptarëve.)

Prej të gjitha sporteve, shqiptarët kanë dhënë më së shumti kontribut në përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut në futboll, edhe në numër edhe në cilësi. Por si iu kthye futbollistëve shqiptarë ky nder? -Duke e brohoritur dëshirën për vdekje të shqiptarëve, ndërsa njërin prej futbollistëve, Ezgjan Alioskin, e kanë dëbuar nga restoranti vetëm pse e kanë dëgjuar duke folur shqip! Ja falënderimi për kontributin e shqiptarëve në sport!

Por të mos jesh tifoz i shtetit në të cilin jeton, apo madje të shkosh një hap më tej dhe të bësh tifozllëk kundër, nuk është diçka e pazakontë, në fakt ne e kemi një precedent nga populli mik kroat nga viti 1990. Atë vit në Zagreb u luajt një ndeshje miqësore në mes Jugosllavisë dhe Hollandës, por tifozët kroatë në tribuna nuk e mbështetnin Jugosllavinë por Hollandën! Ishte periudha e nacionalizmit etnik në Jugsosllavi kështu që tifozët kroatë më nuk e shihnin të arsyeshme të jenë tifozë të një Jugosllavie të dominuar nga një popull tjetër.

Diçka e ngjashme ekziston edhe sot në Bosnje dhe Hercegovinë. Kur përfaqësuesja e BeH luan kundër Serbisë dhe Kroacisë, serbët dhe kroatët në B&H e mbështesin Serbinë dhe Kroacinë respektivisht. Madje edhe kur Bosnje-Hercegovina luan me ndonjë palë të tretë, ndodh që serbët dhe kroatët të jenë tifozë kundër Bosnjes! Ky veprim gjithsesi nuk është për t’u përshëndetur përderisa serbët dhe kroatët në Bosnje-Hercegovinë i gëzojnë të gjitha të drejtat e mundshme: janë popuj konstituivë (kroatët këtë e gëzojnë duke qenë vetëm 15% e popullsisë), gjuha e tyre është gjuhë zyrtare, flamuri i shtetit është etnikisht-neutral, kanë autonomi të gjerë territoriale, dhe e kanë të drejtën e vetos; por përderisa me gjithë këtë pozitë të lartë kushtetuese-juridike serbët dhe kroatët gjejnë arsye për mos ta mbështetur në sport Bosnje-Hercegovinën, atëherë me çfarë logjike një shqiptar duhet ta mbështesë përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut ku me mbi 25% të popullsisë duan të na mbajnë minoritet të thjeshtë si vllehët me 0.5%, ku me mbi 25% të popullsisë me këmbëngulje refuzojnë ta pranojnë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, ku buxheti nuk ndahet me të drejtë…?! (Që të jetë situata më absurde, ka shqiptarë që gëzohen edhe me sukseset e klubit futbollistik dhe hendbollistik të Vardarit, përderisa të gjithë e dijmë se çfarë “malli” janë tifozët e këtij klubi!)

E gjitha që u tha më lartë ka të bëjë me sportin, që përkundër vëmendjes së madhe që ia kushtojmë, ai në thelb është i jodomosdoshëm, hobi, lojë, “argëtim” (Qiro Bllazheviq). (Argëtim është edhe Eurovizioni ku poashtu shqiptarët gabojnë që e mbështesin Maqedoninë e Veriut.) Dhe përderisa sporti nuk është diçka e domosdoshme për jetën tonë, ne kemi mundësi të zgjedhim se kujt do t’ia mbajmë anën në rastet kur sporti merr karakter garues. Por sa i përket gjërave serioze, thelbësore, dhe të domosdoshme për jetën tonë, gjithsesi që duhet t’ia mbajmë anën Maqedonisë së Veriut dhe të punojmë për të mirën e saj, dhe këtu e kemi fjalën për eurointegrimet, rritjen ekonomike, mbrojtjen e ambientit, përmirësimin e shëndetësisë, dhe shumë fusha tjera ku deputetët, ministrat, dhe drejtorët etnkisht shqiptarë japin kontribut për të mirën e Maqedonisë së Veriut.

Alsat