Connect with us

Maqedoni

Shqipja në gjyqësor, partitë mirëpresin formimin e grupit të punës

Published

on


Partitë politike kanë mirëpritur paralajmërimin e ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq për grupe punë mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Procedurë Penale dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. VMRO-DPMNE-ja ka kusht përfshirjen e rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Sipas partisë së Hristijan Mickoskit, kjo nismë dëshmon se Ligji për Gjuhët është jo kushtetues.

“Kjo nismë e Bojan Mariçiq dëshmon se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën. Vërejtjet tona i kemi thënë që në fillim kur ligji pasi u miratua u dërgua për mendim në Komisionin e Venecias, pra në kundërshtim me parimet juridike. Ne kërkojmë të respektohen vërejtjet e Komisionit të Venecias. Qëndrimet më të qarta do t’i thonë ekspertët brenda subjektit tonë”, tha Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Për BDI-në dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve janë të paprekshme, ndërsa thonë se do të marrin pjesë në grupe pune të cilat lehtësojnë dhe harmonizojnë procedurat gjyqësore me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

“Dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve duhet të reflektojnë në Ligjin e Procedurës Penale dhe ligjet tjera duke pasur parasysh se Ligji për gjuhët ka freskuar kohezionin, janë tejkaluar të gjitha paragjykimet e pa baza se po i ndodhë diçka e keqe vendit nëse shqiptarët do ta përdorimin gjuhën shqipe amtare në të gjitha institucionet përfshi edhe procedurat gjyqësore”, deklaroi Arbër Ademi, Deputet i BDI-së.

Nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se për momentin çështja e ndryshimeve ligjore po diskutohet nga ekspertët brenda dy subjekteve, ndërsa së shpejti pritet të dalin me qëndrim të unifikuar si koalicion. Këto dy subjekte në përbërjen e kaluar kishin mbështetur miratimin e Ligjit Për Përdorimin Gjuhëve. Nga LSDM thonë se janë duke u koordinuar për veprimet e mëtejshme, ndërsa thonë se për hollësi duhet pritur veprimet e ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq i cili paralajmëroi hapjen e debatit brenda Qeverisë dhe formimin e grupeve të punës mes partive politike parlamentare dhe ekspertëve.

Adrian Kerimi