Connect with us

Maqedoni

“Peshkatarët”, Prokuroria vazhdon hetimin

Published

on


Aksioni “Peshkatari” zgjeron veprimin edhe tek “peshqit” e mëdhenj. Nga detajet e reja lidhur me operacionin e djeshëm të Policisë Financiare mësohet se në ndjekje janë edhe funksionarë publik dhe ndërmjetësuesit e tyre, të cilët kanë pasur lidhje direkte me ujdisjen e tenderëve me firmat fiktive. Drejtori i Policisë Financiare Arafat Muharremi tha se aksioni vazhdon, dhe pret nga prokuroria të hetojë përfshirjen eventuale të funksionarëve.

  “Në këtë rrjet tash për tash nuk arritëm për t’i zbuluar edhe ndërmjetësuesit se me cilët funksionarë shtetëror janë të lidhur. Mirëpo, në çdo kohë Prokurori ka qenë e informuar se për çfarë tenderësh është biseduar dhe besoj se në procesin hetimor prokurori do të marrë në pyetje edhe persona të cilët kanë qenë në pozita atëherë apo ende janë tash. Këto figura dhe skema që i shfrytëzojnë ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore bashkë me ndërmjetësuesit do të vazhdojnë dhe ne jemi në ndjekje të tyre- deklaroi Arafat Muharremi, Drejtori i Policisë Financiare.

 Kjo drejtori ndaloi 20 persona fizik, prej të cilëve bankierë, kontabilistë dhe biznesmenë të 15 firmave, gjysma e të cilave fiktive. Gjatë transaksioneve bankare që përmes faturave fiktive kanë nënkontraktuar persona për të arritur te “keshi” iu kanë rënë në gjurmë Policia Financiare, e cila zbulon edhe skemën e vjedhjes së buxhetit. Të dyshuarit kanë ujdisur tenderët publik në periudhën 2015-2017 me Qytetin e Shkupit, Komunën e Tetovës, të Gostivarit dhe NP “Pyjet e Maqedonisë” në mënyrë që kompanitë fituese të tenderëve janë detyruar t’u japin porositësve 20% para të gatshme. Për Ministrinë e Brendshëm, hetimi duhet të fokusohet te personat që janë pjesë e institucioneve.

 “Nuk ka peshq të vegjël apo të mëdhenj, ka kriminelë apo jo kriminelë. Por, më së tepërmi duhet t’u kushtojmë vëmendje korrupsionit të lartë, atyre personave që janë të përfshirë në institucionet e sistemit dhe që praktikisht udhëheqin me këta të ashtuquajtur peshq të vegjël. Hetimi i djeshëm zbuloi firma që për 1 milion euro kanë dëmtuar buxhetin e shtetit- pohoi Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion thonë se procedura para hetimore vazhdon edhe pse mbrëmë hapi hetim për 13 prej të arrestuarve me dyshimin për veprën penale Evazion Fiskal dhe Shpërdorimi i pozitës zyrtar. Personat juridik Martoni nga Tetova dhe 3 nga Shkupi Gold, Diamond dhe Vaib Elektronik kanë bërë 96 fatura fiktive kinse iu kanë larë borxhet firmave të sajuara si Rosen, Asking, Delotronik, Alding etj, në mënyrë që prej këtyre të fundit kanë nxjerr paratë, pa arritur ti arsyetojnë me punën për çka edhe kanë marr tenderë.

Gazetar: Adnan Qaili