Connect with us

Bota

Holanda lejon përdorimin e eutanazinës tek fëmijët e sëmurë nën moshën 12 vjeçe

Published

on


Qeveria e Holandës miratoi planet për të lejuar eutanazinë për fëmijët me sëmundje të pashërueshme, të moshës një deri në 12 vjeç.

Eutanazia është përshpejtimi i vdekjes së një pacienti, për të parandaluar vuajtjet e mëtejshme.

Ministri i Shëndetësisë i Holandës, Hugo de Jonge, tha se ndryshimi i rregullit do t’i parandalojnë “vuajtjet pa shpresë” të disa fëmijëve.

Aktualisht, eutanazia në Holandë është e ligjshme për fëmijët mbi 12 vjeç, me pëlqimin e pacientit dhe të prindërve të tij.

Ajo është e ligjshme edhe për foshnjat deri në një vjeç, me pëlqimin e prindërve.

Plani për fëmijët një deri në 12 vjeç ka shkaktuar debate me muaj të tërë në koalicionin qeverisës – partitë e krishtera konservatore e kanë kundërshtuar fuqishëm atë.

Pas miratimit të planit nga qeveria, ministri de Jonge tha se do të hartojë rregullore të reja për eutanazinë.

Ai tha se një studim i ekspertëve ka vërejtur nevojën për ndryshimin e rregullit.

Studimi, sipas tij, ka treguar se pesë deri në 10 fëmijë në vit do të preken nga rregulli i ri.

Rregulli i ri pritet të nisë së zbatuari në muajt e ardhshëm.

Eutanazia dhe vetëvrasja e asistuar janë të ligjshme në Holandë qysh në vitin 2002. Belgjika fqinje e ka ndjekur shembullin e saj disa muaj më vonë.

Këto dy vende kanë qenë të parat në botë që e kanë legalizuar praktikën, megjithëse me kushte shumë të rrepta.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

Rajonet spanjolle vendosin masa të reja kundër koronavirusit

Published

on


Rajonet spanjolle të Katalonjës dhe Navarres kanë vendosur masa të reja kufizuese kundër koronavirusit për shkak të rritjes së rasteve të reja të infektimeve.

Sekretari për Shëndetësi në Katalonja, Josep Maria Argimon, tha se u ka kërkuar të gjitha kompanive që t’i urdhërojnë punëtorët që të punojnë nga shtëpitë e tyre në 15 ditët e ardhshme.

“Pa vendosjen e këtyre masave, brenda dy-tre javësh, situata këtu do të jetë si në Madrid”, tha ai, duke shtuar se prandaj kanë vendosur këto masa të reja, që përveç masave kufizuese në punë, përfshijnë edhe masa sa i përket tubimeve të njerëzve.

Në kryeqyteti spanjoll, Madrid, autoritetet të premten shpallën gjendje të jashtëzakonshme me qëllim që të frenojnë përhapjen e mëtejme të koronavirusit. Kryeqyteti spanjoll është njëri prej qyteteve të goditura më së keqi nga pandemia në Evropë.

Katalonja ka raportuar 2,360 raste të reja me COVID-19 (sëmundjen që e shkakton koronavirusi) dhe 13 viktima në 24-orët e fundit, thanë autoritetet të shtunën.

Në rajonin Navarre, që ka një popullsi prej 650,000 banorësh, liderja rajonale, Maria Chivite njoftoi se ka vendosur masa të reja kufizuese, pasi ditën e fundit janë regjistruar 463 raste të reja me koronavirus – shifra më e lartë e infektimeve në këtë rajon që prej fillimit të pandemisë.

Që prej ditës së martë, në këtë rajon të Spanjës, nuk do të lejohen tubime prej më shumë se gjashtë personave, restorantet dhe baret do të mbyllen në ora 22:00 si dhe ato do të ulin kapacitetin e konsumatorëve që pranojnë në 50 për qind. Ndërkaq, kapaciteti në parqe të fëmijëve do të zvogëlohet për 30 për qind.

Continue Reading

Bota

Rekord i ri rastesh ditore të koronavirusit në nivel global

Published

on


Rëndohet bilanci edhe në vendet e rajonit me virusin korona, me rreth 10% nivelin e rritjes së pandemisë në baza ditore. Në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike raportoi se gjatë 24 orëve të fundit nga testimi i 764 mostrave, janë konfirmuar 79 persona me korona virus edhe për tre raste të vdekjes nga sëmundja COVID-19. Deri më tani në Kosovë janë regjistruar mbi 16 mijë të infektuar, prej të cilëve 641 kanë vdekur.

Ndërkaq, edhe vendet e Evropës tani më janë zhytur në valën e re të pandemisë, ku vetëm Qendra për kontrollin e sëmundjeve në Gjermani, raportoi 4.516 raste të reja me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit ndërsa shumë qytete tani kanë arritur nivelin kritik të 50 rasteve të reja për 100 mijë banorë.

Qeveria spanjolle shpall gjendje të jashtëzakonshme në Madrid. Kjo vjen ndërsa gjykata e lartë në Madrid refuzoi të enjten masat e detyruara në rajon nga qeveria qendrore, të cilat përfshinin bllokimin e pjesshëm të kryeqytetit spanjoll dhe nëntë komunave fqinje.

Numri i infeksioneve të reja me koronavirusin e ri (COVID-19) të raportuara në Republikën Çeke ishte më i larti për të tretën ditë radhazi. Me 5.394 raste të reja, numri i përgjithshëm në vend që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në mbi 100 mijë.

Rekord i ri rastesh ditore të koronavirusit janë regjistruar edhe në nivel global: në 24 orët e fundit, sipas OBSH janë regjistruar të paktën 338,779 raste, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i pandemisë.Evropa regjistron tani më shumë se 6.5 milionë raste të koronavirusit sipas organizatës botërore të shëndetësisë. Rastet po rriten thuajse në të gjitha vendet e kontinentit, me shifra shqetësuese që raportohen çdo ditë.

Continue Reading

Bota

BE-ja do marrëveshje për tregti me Britaninë, por nuk përjashton skenarin pa të

Published

on


Bashkimi Evropian dëshiron të arrijë marrëveshje për tregti me Britaninë, mirëpo teksa kalon koha pa arritur ndonjë të tillë, blloku evropian nuk përjashton mundësinë që të jetë e pamundshme arritja e një marrëveshjeje para përfundimit të vitit, ka thënë zëvendës-presidenti i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviç.

Duke folur para Parlamentit Evropian, Shefçoviç ka thënë se shefi negociator i Bashkimit Evropian për këtë çështje, Michel Barnier dhe ekipi i tij kanë mbështetje të plotë të BE-së.

“Në rast se arrijmë marrëveshje, që është objektivi ynë, të dyja palët do të duhet të sigurojnë ratifikimin në kohë, në mënyrë që ajo të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2021. Kësaj do t’i duhet pak kohë”, ka thënë ai.

“Nëse nuk bëhet ashtu, ne do të jemi një territor pa marrëveshje. Marrë parasysh që jemi më pak se 100 ditë larg kësaj dite, nuk mund ta përjashtojmë këtë skenar”, ka thënë ai.

Shefçoviç po ashtu ka thënë se vendimi i Britanisë për të shtyrë përpara projektligjin për treg të brendshëm, që është në kundërshtim me traktatin për largim nga BE-ja, ka minuar kredibilitetin e Londrës në bisedime.

“Zbatimi i plotë dhe në kohë i marrëveshjes për largim, thjesht nuk duhet të debatohet”, ka thënë Shefçoviç.

“Fakti që miqtë tanë britanikë tani kanë propozuar projektligjin, që përbën shkelje të marrëveshjes për largim, përbën goditje për besueshmërinë britanike”, ka thënë Shefçoviç.

Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./REL/

Continue Reading

Trending