Connect with us

Sport

Driton Kuka paralajmëron pensionimin e Majlinda Kelmendit

Published

on

Viti 2021 mund të jetë viti i fundit kur xhudisten kosovare Majlinda Kelmendi do ta shohim nëpër garat ndërkombëtare.

Këtë lajm për KosovaPress e ka konfirmuar trajneri i saj, Driton Kuka i cili ka deklaruar se Kelmendi i ka arritur tashmë të gjitha ato që mund të arrihen në këtë sport dhe se pas Lojërave Olimpike në Tokio vitin e ardhshëm mund të pensionohet.

Kuka për KosovaPress ka treguar se është propozim dhe dëshirë e tij që Majlinda t’i jap fund karrierës dhe të jap kontribut si trajnere e xhudos.

“Po mendoj që Majlinda është e gatshme për gara. Nuk e di kur do të fillojë, por besoj se do të fillojë. Majlinda tashmë i ka arritur të gjitha ato çfarë arrihen në sport dhe po besoj që me dy-tri gara vitin tjetër edhe caku i saj janë Lojërat Olimpike po shpresoj që do të më dëgjoj mua që pas Lojërave Olimpike në Tokio t’i bashkëngjitet ekipit të trajnerëve, të punoj afër meje sepse tashmë ekipi është rritur dhe po më duket që kam nevojë të kem dikë që ka nivel edhe që e di rrugën deri te medaljet e mëdha, të punojmë bashkë në mënyrë që ky numër prej pesë garuesve ndoshta në të ardhmen të bëhet 10 ose 15 garues me nivel elitar. Ky është edhe qëllimi ynë ndoshta për ciklin olimpik drejt Parisit 2020/24 dhe Lojërave Olimpike 2020/28, do të thotë të ndërtohet një ekip i trajnerëve në mënyrë që numri i garuesve të rritet edhe cilësia e ekipit”, tha Kuka.

Pas gjithë atyre medaljeve të fituara më të cilat e ka bërë krenar të gjithë popullin shqiptar, Kuka deklaroi se tashmë Majlinda e ka obligim që të ndihmojë në ngritjen e gjeneratave të reja dhe kampionëve të rinj.

“Kjo është dëshira ime, unë po besoj se ajo do të më dëgjoj kësaj radhe për arsye se duhet të jap për gjeneratat e reja. Ajo i ka dhënë Kosovës dhe popullit shqiptar të gjitha medaljet e mundshme, kënaqësitë të cilat normalisht nuk i kemi përjetuar më parë për arsye se në Kosovë kurrë nuk kemi pasur as kampion botëror e as olimpik. Të gjitha këto i ka arritur Majlinda kështu që po besoj potenciali i saj si garuese ndoshta të jep frytet e saj edhe për ngritjen e gjeneratave të reja. E ka obligim”, ka thënë në fund Kuka.

Në karrierën e saj të pasur sportive, Majlinda Kelmendi numëron një numër të madh të trofeve ndërkombëtar. Në vitin 2009, Kelmendi fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror për të rinj në Paris të Francës. Një vit më vonë, ajo arriti vendin e 5-të në Kampionatin Botëror për të rinj në Marok dhe përfundoi e 9-ta në kategorinë 52 kg në Kampionatin Botëror të Xhudos në Tokio, Japoni.

Alsat