Connect with us

Sport

Drejtuesit e KOK-ut morën pjesë në inaugurimin e pajisjeve të reja në poligonin e shenjëtarisë sportive – Bota Sot

Published

on

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, kanë marrë pjesë në inaugurimin e pajisjeve të reja në poligonin e shenjëtarisë sportive të Federata e Shenjetarise Sportive e Kosoves.

Të pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ishin edhe drejtues të Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, zëvendësministri Engelbert Zefaj, u.d. sekretari i përgjithshëm, Ibër Alaj, drejtori i Sportit në KK të Prishtinës, Fitim Rexha, sportistë, trajnerë, etj.

Inaugurimi u bë nga presidenti Hasani, zëvendësministri Zefaj dhe kryetari i FSSHK-së, Gëzim Hazrolli.

FSSHK është furnizuar nga Federata Ndërkombëtare e Shenjëtarisë me një sistem prej dhjetë (10) caqe elektronike, dhjetë (10) pushkë standarde dhe dhjetë (10) pistoleta standarde. Të gjitha këto pajisje, janë të cilësisë më të lartë në treg.

Presidenti Hasani, duke vlerësuar investimin në këtë poligon, theksoi se sot është nëj ditë e veçantë për komunitetin e shenjëtarisë sportive.

“FSSHK po e plotëson edhe një prej kritereve që janë kusht për suksesin e sportistëve elitarë. Krahas vullnetit të sportistëve, krahas dijes, shkathtësisë motivuese të trajnerëve dhe krahas garave të fuqishme që të gjitha këto i ka pas, sot kjo federatë po pajiset me pajisje më bashkëkohore, duke iu falënderuar edhe MKRS-së, por edhe federatës përkatëse ndërkombëtare”, tha ndër të tjera presidenti Hasani, duke kujtuar se kjo federatë ka pjesëmarrës të Lojërave Olimpike Rio 2016 dhe Lojërave Evropiane Baku 2015.

Investimi në poligonin e shenjëtarisë është bërë me mbeshtëtje të Departamentit të Sportit në MKRS.

Kryetari i FSHSK-së, Hazrolli theksoi se ky investimi total kap vlerën e rreth 100 mijë eurove, ndërsa shtoi poligoni tani ofron kushte bashkëkohore për sportistët.

FSHSK-në e uruan edhe drejtuesit e MKRS-së, duke ofruar mbështetjen e tyre për zhvillimin e këtij sporti.

Alsat