Connect with us

Maqedoni

Kovid-19 rrezikon funksionimin normal të Kuvendit, kërkohet votim online për deputetët në izolim

Published

on


Vendimet për izolim për tre deputetë të infektuar me virus korona, dy nga shumica dhe një nga opozita, rrezikojnë funksionimin normal të Kuvendit. Shumica parlamentare kërkon që vetëm deputetët të cilët kanë vendim për izolim të mund të votojnë online, që të mos bllokohet propozim-ligjet në procedurë dhe procedura për buxhetin.

“Në të ardhmen mund të ndodhë që në izolim të shkojë gjithë Komisioni për financa dhe buxhet si trup punues ku shqyrtohet rishikimi ose buxheti nëse ka qoftë edhe vetëm një të infektuar në atë sallë. Kjo që bëjmë tani dhe për të cilën duam të sigurojmë konsensus me opozitën është që të kemi disa variante se si Kuvendin do ta bënim funksional edhe në këto raste. Ndryshimet e Rregullores duhet patjetër të bëhen vetëm me konsensus mes të gjithë deputetëve”, tha Jovan Mitrevski, LSDM.

“Aty (në Kushtetutë) parashihet pjesëmarrja e cila nuk është e definuar në mënyrë të saktë a duhet të jetë fizike ose pjesëmarrje nëpërmjet përfaqësimit online. Ne mendojmë ta ndryshojmë Rregulloren e Kuvendit, jo për ta ndryshuar këtë nen por për ta precizuar që pjesëmarrja të jetë fizike ose online”, tha Izet Mexhiti, BDI.

Por opozita kundërshton fuqishëm. Sipas tyre, puna e Kuvendit nuk varet nga mungesa e pak deputetëve. Ligjet mund të kenë edhe mbështetjen e opozitës nëse vërejtjet dhe amendamentet e tyre pranohen nga shumica. Ka rrezik për krizë institucionale.

“Që të ketë institucione efikase duhet të ketë bashkëpunim më të mirë të shumicës me të gjithë grupet e tjera parlamentare. Nëse me forcë shtyhet projekti “seanca online” ka rrezik për një krizë politike këtu në Kuvend dhe jashtë saj dhe krijohet edhe një pasiguri tjetër juridike. Cilatdo ligji që do të votoheshin në seanca online ndërkohë që Kushtetuta parashikon prezencë, herët ose vonë mund të bien në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

“Seriozisht është keqpërdorim i gjendjes shëndetësore të deputetëve të cilët ndoshta për momentin mund të jenë edhe në respirator dhe pritet të futen online të komunikojnë. Është keqpërdorim i rëndë i të drejtave shëndetësore të qytetarëve për pikë politike. Kuvendi i ka edhe 118 deputetë të tjerë. Mund të funksionojë edhe me 80 ose 100 deputetë. Aspak nuk është problem funksionimi i Kuvendit, është problem harmonizimi i qëndrimeve të përbashkëta pozitë – opozitë”, deklaroi Skender Rexhepi, ASH-AAA.

Për momentin shumica thotë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të tërësishëm të praktikës dhe zbatimin e punës “online” për të gjithë Kuvendin. Kurse opozitës i jepen disa ditë në dispozicion të reflektojë dhe të ndryshojë qëndrim.

Fatlume Dervishi