Connect with us

Business

Gërxhaliu: Nënshkrimi i marrëveshjeve ekonomike Kosovë-Shqipëri nuk duhet të jetë marketing medial

Published

on

Ka vite që Shqipëria dhe Kosova promovojnë bashkëpunimin institucional ndërmjet dy qeverive edhe me marrëveshje të nënshkruara, që për qëllim kanë lehtësimin e procedurave për marrëveshjet dhe koordinim të vendeve tona.

Por, këto marrëveshje shpesh kanë qenë në kritikën për mënyrën e organizimit dhe bërjes kryesisht të një “show medial” e më pak zbatim të këtyre marrëveshjeve në përditshmëri.

Ani pse marrëveshjet u prezantuan shpesh si shumë të rëndësishme, ato nuk po gjejnë zbatim.

Marrëveshjet e nënshkruara në fusha të ndryshme, në veçanti në aspektin ekonomik nga përfaqësues të bizneseve dhe njohës të fushës po vlerësohet se nuk po arrijnë të zbatohen.

Sipas ekspertit të çështjeve ekonomike dhe njëherësh sekretari i përgjithshëm i Forumit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor, Safet Gërxhaliu, nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve nuk duhet të jetë vetëm marketing medial.

“Këto marrëveshje në këto takime duhet të mbështeten, por që nuk duhet të janë vetëm për dekor, apo marketing medial. Është koha kur duhet të ketë substancë zbatuese. Problemi më i madh i moszbatimit të tyre është qasja e politikës që është ngushtë e lidhur me grupet e caktuara të interesit dhe bashkëpunimin ekonomik e diktojnë disa brende. Për ekonomi duhet të bëhet më tepër, nuk jetohet nga patriotizmi folklorik, ekonomia dhe edukimi duhet të jetë synim i përbashkët”, tha për Telegrafin, Gërxhaliu.

Lexo po ashtu:

83 marrëveshje Kosovë-Shqipëri, shumë politikë e pak ekonomi – bizneset kërkojnë veprim e jo ‘show medial’

Ai tha se është obligim institucional që të bëhet me tepër për identifikimin e problemit të mosbesimit në mes të komunitetit të biznesit, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Në rend të parë duhet kuptuar se jemi një popull i ndarë dhe defenitivisht bashkëpunimi ekonomik duhet të jetë mekanizmi i përafrimit, kurse në rend të dytë nuk mungojnë marrëveshjet e nënshkruara por mungon zbatimi i tyre dhe do të ishte në funksion të përafrimit, zhvillimit dhe në përmirësimin e imazhit. Pra, duhet të punohet më tepër për zbatim. Është obligim institucional që të bëhet me tepër për identifikimin e problemit të mosbesimit në mes të komunitetit të biznesit, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Është një mosbesim, i cili po e ngulfat këtë partneritet, deri sa në Shqipëri janë të gatshëm me të gjithë, përveç me kosovarët”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Më 2 tetor është mbajtur mbledhje e gjashtë e dy qeverive në Tiranë në përpjekje për të thelluar bashkëpunimin.

Në takimin e fundit, qeveritë sërish premtuan heqjen e barrierave kufitare për tregtinë dhe për këtë nënshkruan 13 marrëveshje, memorandume e protokolle.

Që prej janarit të vitit 2014 kur u realizua takimi i parë në Prizren, numri i marrëveshjeve të nënshkruara në këto takime arriti në 83.

Alsat