Connect with us

Bota

CNN: Të harruar nga BE, vendet e Ballkanit mbështeten në vaksinën ruse dhe kineze – Alsat

Published

on

CNN i ka kushtuar një analizë të gjatë çështjes së vaksinës dhe faktit që ende nuk është shpërndarë në shumë vende të botës, duke përfshirë këtu dhe Ballkanin Perëndimor.

Në një kohë kur Mbretëria e Bashkuar po feston se 15 milionë persona kanë marrë dozën e parë, ndërsa në BE janë shpërndarë 23 milionë vaksina, shumë vende të tjera europiane nuk kanë marrë asgjë.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina janë ende në pritje të ngarkesave të para, ndërsa në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut procesi i vaksinimit deri në këto momente ka qenë i limituar.

Vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen aleatë kyçë dhe anëtarë të mundshëm në të ardhmen të Bashkimit Europian, por janë lënë jashtë nga plani i bllokut për furnizimin e menjëhershëm me vaksina.

BE ka siguruar deri në këto momente 2.3 miliardë doza vaksina dhe ka premtuar se do të ndajë disa prej tyre me vendet e tjera. Gjithashtu ka caktuar një fond prej 85 milionë dollarësh për rajonin e Ballkanit Perëndimor për të blerë vaksina në një të ardhme, por në një kohë kur shpërndarja ka qenë e ngadaltë dhe me vonesa, këto vende janë akoma në pritje.

Dhe si vende relativisht të pasura, të paktën në kontekstin global, këto vende nuk janë gjithashtu përparësi në programet e hartuara për të ndihmuar vendet më të varfra të botës.

Ato janë bërë pjesë e programit COVAX, i cili ka si qëllim të bëjë më të barabartë aksesin te vaksinat për të gjithë botën, por furnizimi i kufizuar i skemës nënkupton që fokusi i saj kryesor janë 92 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme që nuk mund të përballojnë vaksinat pa financim dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ndër ato. Si anëtare me vetëfinancim në COVAX, ato do të marrin 850,000 doza të vaksinave të ndryshme, por se kur këto mund të mbërrijnë është e ende paqartë.

Përballë një pritje të gjatë, Serbia mori kontrollin e situatës dhe kërkoi vaksinat diku tjetër. Kina dhe Rusia ishin gati të ndihmonin. Qeveria serbe deri në këto momente ka marrë nga Kina 1.5 milionë doza të vaksinës Sinopharm, duke e katapultuar vendin prej 7 milionë banorësh në krye të garës globale të vaksinimit. Sipas të dhënave zyrtarë rreth 1 milionë qytetarë janë vaksinuar kundër Covid-19 në Serbi që 19 janari, kur nisi dhe zyrtarisht vaksinimi.

Ditët e fundit, Serbia ka ndihmuar dhe disa nga vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke iu dhënë atyre dhe disa sasi simbolike vaksinash. Ndërkohë, Bashkimi Europian ka premtuar se do ta ndihmojë rajonin me blerjen e vaksinave antiCovid, por pa dhënë detaje.