Connect with us

Business

Buxheti 2021, cilat janë projektet që Shpend Ahmeti synon t’i përfundojë në fund të mandatit?

Published

on

Para pak ditëve, Asambleja e Prishtinës ka miratuar buxhetin për vitin 2021 të prezantuar nga ekzekutivi në vlerë prej 85,792,836 eurove. Në këtë buxhet nuk ka ndonjë projekt madhorë që do të mund të veçohet.

Disa miliona euro pritët të teprojnë edhe në këtë vit nga buxheti i Komunës së Prishtinës, të cilat do të transferohen në buxhetin për vitin 2021. Kryetari Shpend Ahmeti do të përfundojë mandatin e dytë në tetor të vitit të ardhshëm.

Si prestarë i Lëvizjes Vetëvendosje ai kishte dhënë 100 zotime për rregullimin dhe funksionimin më të mirë të Prishtinës. Shumë nga to as që kanë filluar e disa janë në fillim. Megjithëkëtë, tashmë Komuna e ka miratuar buxhetin për vitin 2021. Për buxhetin e miratuar, komuna nuk ka lëshuar asnjë komunikatë. Lajmi.net e ka parë buxhetin për vitin e ardhshëm.

Sipas atij dokumenti, veçmas për investime kapitale janë paraparë 28,592,836 euro. Por, shuma e mjeteve të investimeve kapitale është shumë më e madhe, pasi parat janë grumbulluar ndër vite.

Buxheti i vitit 2021 nuk ka ndonjë pikë të madhe inventive që do të mund të veçohet. Disa nga projektet e mëdha janë të vitit 2020.

Nëpërmjet drejtorisë së investimeve kapitale, komuna ka ndarë 1 milion euro për projektin “Tregu i ri i qytetit (çarshia e vjetër-vazhdimi i projektit të tenderuar në vitin 2020)”.

Për projektin “Tuneli Agim Ramadani (vazhdim i projektit të tenderuar në vitin 2020)”, janë ndarë 500 mijë euro.

Implementimi i planit të mobilitetit pjesa Urbane do të marrë 1, 001, 837 euro. Komuna për vitin e ardhshëm ka paraparë ndërtimin e rrugës A (kolektori dhe rruga) për të cilën janë ndarë  1, 150, 000 euro. Për “Ndërtimi i rragëve në pjesët urbane me infrastrukturë përcjellëse”, janë ndarë 1 milionë euro.

Po ashtu është paraparë edhe ndërtimi i rrugës “Shkëlzen Haradinaj”-faza II, rruga Zlash –Prapashticë, Ndërtimi –shënjëzimi i shtigjeve të çiklistikëve në rrugën kryesore të qytetit.

Projektet më të mëdha të planifikuara nga drejtoria e shërbimeve publike janë “Sinjalizimi horizontal dhe vertikal” për të janë ndarë 500 mijë euro, për zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publikë janë ndarë 600 mijë euro, 250 mijë euro për rregullimin e varrezave, 200 mijë euro për riparimin e ashensorëve.

Komuna synon që me 2, 070, 000 euro t’i qaset hapësirave gjelbëruese, pasi kaq para janë ndarë për drejtorinë e parqeve. Për projektin “Rregullimi dhe kultivimi i sipërfaqeve gjelbëruese të qytetit” janë ndarë 1.5 milionë euro. Për furnizim me fidanë në vitin 2021 janë ndarë 200 mijë euro. Po ashtu 200 mijë euro janë ndarë edhe për shtrirjen e sistemit të ujitjes në parqe.

Drejtoria e Kulturës do të këtë në shfrytëzim mbi 3 milionë euro. Për projektin “Salla koncertale (projekt vazhdimi i vitit 2020) janë ndarë 900 euro. Për konservimin dhe adaptimin e muzeumeve të qytetit janë ndarë 300 mijë euro. “Bashkëfinancimi me TIKA për Hamamin e qytetit”, 500 mije euro, “Busti i Hasan Prishtinës”, 100 mijë euro. “Renovimi i Teatrit Alternativ (Oda)”, 100 mijë euro, Po ashtu 100 mijë euro janë ndarë edhe për renovimin infrastrukturor dhe artistik i tunelit në Kurriz të lagjes “Dardania”.

Në kuadër të drejtorisë së sporteve dhe rinisë, komuna ka paraparë të ndërtojë një fushë të minigolfit, tek pishina e Gërmisë. Për këtë janë ndarë 50 mijë euro. Po ashtu komuna synon të bëjë edhe rregullimin dhe renovimin e amfiteatrit e Pishinën e Gërmisë. Po ashtu 500 mijë euro janë ndarë për ndërtimin e sallës universal. Po ashtu është paraparë të bëhet edhe ndërtimi i tribunës lindore të stadiumit “2 korriku”.

Në kuadër të drejtorisë së Mirëqenies Sociale janë paraparë tri projekte kapitale: “Ndërtimi i Qendrës Multifuksionale për Punë Sociale”, 500 mijë euro, “Ndërtimi i strehimores për personat LGBTI”, 300 mijë euro dhe “Renovimi i pushimores për të moshuar në Istog (pronë e Komunës së Prishtinës), 150 mijë euro.

Tek arsimi, është paraparë të vazhdohet ndërtimi i shkollës në Vranidoll, vazhdimi i ndërtimit të shkollës së mesme “7 shtatori”, ndërtimi i shkollës në Shkabaj, 400 mijë euro.

Komuna ka paraparë ndërtimin e pishinës për nxënësit e Prishtinës tek shkolla “Dardania”, në vlerë prej 500 mijë euro, po ashtu 500 mijë euro janë ndarë edhe për ndërtimin e shkollës në lagjen “Prishtina e Re” Është paraparë edhe ndërtimi i çerdheve në një shumë prej 400 mijë eurove.

Buxheti i komunës për vitin 2021 është miratuar në vlerë prej 85,792,836 eurove. Këto mjetë do të grumbullohen nga granti i përgjithshëm 18,508,057 euro, granti specifik për Shëndetësi 6,950,006 euro, granti specifik për Arsim, 21,108.027 euro, granti specifik për kryeqytetin, 10,954,800 euro, të hyrat vetanake, 28,271,946 euro.

Nga to, 28,592,836 euro janë për shpenzimet kapitale për paga dhe mëditje 31,000,000, mallra dhe shërbime 20,100,000 euro, Shpenzime komunale 2,100,000 euro, dhe 4,000,000 euro Subvencione dhe transfere. Në këtë vit, komuna ka pasur një buxhet të miratuar në vlerë prej 91,579,504 eurove. Parashikimet e hershme të komunës janë që në vitin 2022 të këtë një buxhet në vlerë prej 94,811,767 eurove, ndërsa në vitin 2023 në vlerë prej 98,090,955 euro. 

Alsat