Connect with us

Business

ATK inkason 60 milionë euro më shumë se vitin e kaluar

Published

on

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e masave anti-Covid që lejon edhe mbajtjen e dasmave dhe ahengjeve, pritet të ndikojë në rritjen e të hyrave për arkën e shtetit dhe në gjenerimin ekonomik në përgjithësi.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj thotë se puna e sektorit të hotelerisë dhe sallave të dasmave është një zinxhir që ndërlidhet me disa sektorë të prodhimit, shërbimeve, këngëtarëve si dhe sallonet e ondulimit.

Sipas drejtorit Murtezaj, të gjitha këto biznese janë të obliguara që t’i kryejnë obligimet tatimore ndaj shtetit. ATK në total ka mbledhur rreth 250 milionë euro në pesë muajt e parë të këtij viti.

Murtezaj: Lehtësimi i masave rrit të hyrat buxhetore

“Pothuajse të gjitha aktivitetet ekonomike janë të ndërlidhura, dhe lirimi i masave te sektori i hotelerisë dhe sallave që është lejuar të mbahen dasmat dhe ahengjeve, ato janë të ndërlidhura si zinxhir në shumë aktivitete. Aktivitetet tjera siç janë sallonet e veshjeve, floktarët, mishtoret, sektori i këngëtarëve dhe prodhimit të cilët gjenerojnë të hyra, të cilat pastaj do të jenë të tatimuara”, thekson Murtezaj.

Ndërsa, sa i përket trendit të qarkullimit të aktiviteteve ekonomike dhe të hyrat buxhetore, Murtezaj tregon se rreth 60 milionë euro janë inkasuar më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Murtezaj: Rreth 60 milionë euro kemi inkasuar më shumë se vjet

“Trendi është jashtëzakonisht i mirë, në periudhën pesë mujore rezulton që kemi tejkaluar edhe planifikimet përreth 11 përqind ose 24 milionë euro, ndërsa në raport me vitin e kaluar kemi një tejkalim të inkasimit përreth 57 milionë euro. Ky trend i mirë pozitiv është edhe për shkak të disa indikacioneve siç janë rritja e qarkullimit të aktiviteteve të bizneseve, ku për periudhën janar-prill 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, rezulton se ka një rritje rreth 27 përqind të qarkullimit. Po ashtu, nëse krahasojmë periudhën e njëjtë të vitit 2019 rezulton se kemi 15.6 përqind rritja të qarkullimit”, thotë ai.

Drejtori i ATK-së ka treguar se së fundmi 3.8 milionë euro kanë përfituar bizneset, prej tyre 3 milionë euro janë ndarë për paga dhe 800 mijë për qiratë. Mjete këto të cilat ishin paraparë me pakon mbështetëse financiare për bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura me vendimin e fundit të qeverisë për ndërprerjen e aktiviteteve të tyre për periudhën dy javore.

Alsat