Skuadra holandeze e Ajaksit është tronditur nga skandali i fundit, ndërsa sot ka reaguar me shkarkim të drejtorit Mark Overmars. Sipas mediave holandeze, drejtori i Ajaksit, kishte dërguar kolegeve mesazhe të papërshtatshme për një kohë të gjatë. Kjo ishte arsyeja kryesore që drejtuesit të Ajaksit të regaojnë me largimin e Overmarsit nga pozita e drejtorit me vendim të menjëhershëm.
“Drejtori Mark Overmars do të largohet nga Ajaksi me efekt të menjëhershëm. Ai e mori këtë vendim pas diskutimeve të ditëve të fundit me bordin mbikëqyrës dhe shefin Edvin van der Sar dhe ua komunikoi synimet e tij. Një seri mesazhesh të papërshtatshme dërguar disa kolegeve femra për një periudhë të gjatë kohore nënvizojnë vendimin për t’u larguar nga klubi”, thuhet në komunikatën e klubit.

Mark Overmars ka reaguar menjëherë pas shkarkimit, duke theksuar se është i turpëruar për gjestet e bëra.
“Më vjen turp. Javën e kaluar u përballa me raporte për sjelljen time dhe si u ka ardhur kjo të tjerëve. Fatkeqësisht, nuk e kuptova që po e kaloja kufirin me këtë, por kjo m’u bë e qartë ditëve të fundit. Papritur ndjeva një presion të madh. Kërkoj falje. Sigurisht për dikë në pozicionin tim, kjo sjellje është e papranueshme. Unë tani e shoh edhe atë. Por është shumë vonë. Nuk shoh zgjidhje tjetër përveç largimit nga Ajaksi. Kjo gjithashtu ka një ndikim të madh në situatën time private. Prandaj u kërkoj të gjithëve të më lënë vetëm mua dhe familjen time”, theksoi Overmars.
Kujtojmë se Mark Overmars është drejtor te skuadra holandeze nga viti 2012.








