Maqedoni
Vuçiq: Jo zbatimit për anëtarësim të Kosovës në OKB – Alsat
Published
4 years agoon
By

Gazetar: Shkelzen Aqifi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se qëndrimi i tij sa i përket marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën nuk ka ndryshuar “as edhe një pikë” dhe ka ripërsëritur se Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Nuk ka bisedime për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të raporteve, pa tensione dhe pa konflikte, Serbia do t’i zbatojë”, tha Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se faktorët ndërkombëtarë duhet ta “dënojnë” Serbinë, e cila, sipas tij, ka refuzuar që ta nënshkruajë aneksin për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes dy shteteve. Ai tha se për Kosovën Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i zbatimit të saj, janë “marrëveshje”, pavarësisht se më 18 mars, Serbia nuk pranoi që ta nënshkruajë të njëjtën.
“Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara, nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën, me qenë se Marrëveshja Bazë është njohje de facto. Edhe Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për ne kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë ‘nuk nënshkruaj’, e ndërmjet takimeve thotë ‘nuk zbatoj gjë”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Më 18 mars në Ohër Albin Kurti e Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Për këtë marrëveshje, palët ishin dakorduar në fund të shkurtit. Kjo marrëveshje, që njihet edhe si propozimi evropian, synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e raporteve.
I dërguari i SHBA-së Gabriell Eskobar tha dje se të dyja vendet duhet të nisin menjëherë të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve. Ai tha se pajtimi i arritur në Ohër është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve. /Alsat.mk
You may like

Vëllai i Meghan Markle përfshihet në hetimet për pornografi me fëmijë, dëshmitarët pretendojnë se në shtëpinë e tij dërgoheshin vajza të mitura

Zendaya kujtoi pjesën më të vështirë të xhirimeve të “Dune: Part Three”: Thjesht po djersisja

“Kur t’i vijë koha”, Shqiponja flet për strategjinë e saj në Big Brother

Komploti terrorist që anuloi koncertet e Taylor Swift në Vjenë po bëhet dokumentar – publikohet në vitin 2027

Ambasada e Kosovës në Itali fton diasporën të mbështesë filmin “Shame and Money” në Romë

Akili i bindur: Kam hyrë për fitore dhe do të arrijë










