Connect with us

Showbiz

Netflix zbulon serialin e ri të Stranger Things ku historia përqendrohet në vitin 1950 – ja kur pritet të publikohet

Published

on

Netflix konfirmoi se një serial prequel i Stranger Things, me titull Other Worlds: A Stranger Things Adventure, do të publikohet në vitin 2028.

Ngjarjet e serialit do të zhvillohen në vitet 1950, disa dekada përpara ngjarjeve të Stranger Things, madje edhe përpara Stranger Things: The First Shadow, i cili trajton origjinën e një të riu, Henry Creel, djalit që më vonë do të shndërrohej në antagonistin kryesor të serialit, Vecna (Jamie Campbell Bower).


Sipas një videoje promovuese të publikuar nga Netflix së bashku me njoftimin, ngjarjet e Other Worlds do të zhvillohen në Marion, New Mexico. Xhirimet e serialit do të realizohen gjithashtu në New Mexico.

Krijuesit e Stranger Things, Matt dhe Ross Duffer, janë bashkëkrijues të këtij seriali dhe do të shërbejnë gjithashtu si producentë ekzekutivë.

Në një deklaratë, ata u shprehën: “Prej shumë vitesh kemi ëndërruar për Other Worlds: A Stranger Things Adventure, ndaj fakti që po bëhet realitet është një përvojë e jashtëzakonshme dhe emocionuese. Është Stranger Things, por njëkohësisht sjell diçka krejt të re dhe emocionuese, me një vendndodhje të re, heronj dhe antagonistë të rinj. Për më tepër, ka edhe shumë gjëra të tjera, por nuk na lejohet të zbulojmë më shumë. Tani është koha të fillojmë përzgjedhjen e aktorëve. Ndërkohë, mbani sytë nga qielli, adhurues të apasionuar!”

Kate Trefry, e cila ka shkruar edhe The First Shadow, do të jetë skenariste kryesore dhe drejtuese e serialit (showrunner).

Në deklaratën e saj, ajo u shpreh: “Është një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm për mua që të sjell në jetë këtë kapitull të ri të Stranger Things. Kemi kaluar momente të mrekullueshme duke iu rikthyer elementeve të horrorit, mrekullisë dhe misterit të serialit origjinal, ndërkohë që tregojmë një histori krejtësisht të re, për të cilën shpresojmë se do t’ju mahnisë dhe do t’ju prekë thellë emocionalisht. Ka ende shumë mistere për t’u zbuluar. Mirë se vini në Other Worlds.”

Shawn Levy, i cili ka qenë producent ekzekutiv dhe regjisor në Stranger Things, deklaroi në një komunikatë për shtyp se Other Worlds do të sjellë “një grup të ri personazhesh dhe një aventurë të re, e cila ruan elementet thelbësore të serialit origjinal, por njëkohësisht eksploron një periudhë të re historike, një mjedis të ri, si dhe personazhe, tema dhe një mitologji krejtësisht të re. Gjurmët e kësaj historie mund të jenë lënë në Hawkins, por tani ajo shtrihet drejt botëve të tjera, plot spektakël, aksion dhe emocione”.

Njoftimi për serialin paraprirës vjen pak para përvjetorit të parë të premierës së sezonit të fundit të Stranger Things. Sezoni i pestë u publikua në tri pjesë: seria e parë e episodeve doli në Netflix në Ditën e Falënderimeve, ndërsa pjesët e tjera u publikuan në Ditën e Krishtlindjeve dhe në natën e ndërrimit të viteve.