Maqedoni
Von Cramon: S’kemi interes të krijojmë një “Republika Srpska” të dytë – Alsat
Published
4 years agoon
By

Viola Von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian pret që takimi i 18 marsit në Ohër ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të përmbyllet me marrëveshje. Ajo pret që të ketë edhe nënshkrim mbi dokument të dy liderëve.
“Shpresoj të shohim edhe nënshkrime. Kjo do të ishte një marrëveshje që do të ishte hap tejet i madh përpara për të dyja vendet, por sidomos për Kosovën në kuadër të integrimit evropian”, ka theksuar Von Cramon.
Ajo ka thënë se sikur të ishte ajo në pozitë për të vendosur, atëherë “gjithsesi se do të ishte në favor të kësaj marrëveshje”.
“E kam parë propozimin evropian në muajin shkurt dhe besoj se sidomos për Kosovën është një hap tejet i madh përpara, në kuptimin e njohjes si shtet sovran dhe në ecjen përpara”, ka shtuar Von Cramon në RTK.
Ajo ka thënë se marrëveshja nuk ka të bëjë vetëm me propozimin por edhe me ankesin. “Nëse nënshkruhet aneksi, atëherë ka shumë gjasë që të nënshkruhet edhe marrëveshja dhe besoj se ka gjasa reale që një gjë e tillë të ndodhë në takimin e Ohrit”, ka nënvizuar ajo.
Në pyetjen nëse plani evropian e ka njohjen de-facto nga Serbia, ajo ka thënë se “njohja de-facto është për dokumentet zyrtare, për tabelat, pasaportat, diplomat etj”.
“…kjo po ashtu nënkupton se Serbia duhet ta ndalë fushatën e çnjohjeve dhe Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe kjo është shumë thelbësore për Kosovën. Në këtë pikë të gjithë ekspertët pajtohen se ky është një hap i madh për Kosovën”, është shprehur eurodeputetja Von Cramon.
Sa i përket mundësisë që me arritjen e kësaj marrëveshje Kosova të fitojë edhe njohjen nga pesë vendet e BE-së, Von Cramon ka thënë se nuk mund të thuhet ‘100 përqind se kjo do të ndodhë‘ por se sipas saj më ‘nuk do të kishte pengesa ligjore për një gjë të tillë‘.
“Është sigurisht shumë e vështirë të thuhet diçka e tillë me bindje të plotë. Ajo çfarë kam dëgjuar nga ata që kanë negociuar me të dyja palët është se kjo është mjaft e mundshme dhe së paku nuk ka ndonjë pengesë ligjore apo juridike në këtë drejtim. Nëse Serbia de-facto njeh të gjitha dokumentet e Kosovës, atëherë nuk do të kishte pengesa për asnjë vend tjetër që ta njohë Kosovën. Nuk është se kam folur me qeveritë përkatëse por e shoh si lëvizje shumë të madhe”, ka thënë Von Cramon.
Duke folur për Asociacionin me komuna me shumicë serbe, ajo ka thënë se BE nuk do të lejojë një “Republika Srpska” të re.
“Ka modele të ndryshme edhe në BE dhe asnjë prej tyre nuk është e ngjashme me ‘Republika Srpska’ sepse nuk kemi kurrfarë interesi që të krijojmë një trup të dytë sikurse ‘Republika Srpska’ dhe kjo është e sigurtë. Ajo që u kemi ofruar palëve në Kosovë është diçka që nuk mund të çojë në ndonjë çarje apo ndarje”, ka theksuar Von Cramon.
Ajo ka thënë se i mbetet Qeverisë së Kosovës të vendosë për modelin , por ka thënë se “është me rëndësi që kjo pikë të mos refuzohet sepse është një prej arrave të forta” dhe është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe 2015.
You may like

Nichi i kërkon falje Anjezës pasi i përmendi të dashurin, veprimi që zemëroi atë

Bie alarmi i parë në shtëpinë e BBVK-së, zbulohet për çfarë bëhet fjalë

Alessandra Ambrosio i vuri flakën internetit me një foto me bikini

Rrihet sërish gazetari i shoubizit, Elton Tozaj

Pesë serialet që vijnë në Netflix gjatë nëntorit 2026, ja pse ia vlen t’i shikoni

Tri herë në mbidozë, Fuego rrëfen varësinë nga droga










