Nga skenat evropiane në Amerikën e Veriut, tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Rame Lahaj, do të udhëtojë drejt Kanadasë, ku më 13 dhjetor do të performojë në Bluma Appel Theatre në Toronto.
Pas koncerteve në Zürich, Düsseldorf dhe Vjenë, Lahaj do të sjellë para publikut në Kanada një repertor që ndërthur këngët shqiptare me muzikën italiane, chanson-in francez dhe pjesë të njohura nga muzika e filmave.
Në prag të koncertit të radhës, tenori ka publikuar një video përmbledhëse të atmosferës nga koncerti në Wiener Konzerthaus, duke rikthyer emocionet e asaj mbrëmjeje dhe duke ftuar publikun në Toronto.
“Toronto, ju pres më 13 dhjetor 2026, në orën 17:00, në Bluma Appel Theatre”, ka shkruar Lahaj.
Artisti ka zbuluar gjithashtu disa nga destinacionet e turneut për vitin 2027, duke paralajmëruar koncerte në disa qytete të SHBA-së, duke filluar me Nju-Jorkun, si dhe në Londër, Bruksel, Malmö, Gjenevë, Zürich, Stuttgart, Hamburg, Düsseldorf, Vjenë e qytete të tjera.
“U pafshim për të mira e paçi bekimin e Zotit!”, ka përfunduar tenori.
Përmes “PASSION & ORIGIN”, të cilin po e realizon së bashku me ARMA Ensemble, Lahaj i rikthehet muzikës së rrënjëve të tij, duke e sjellë këngën shqiptare më pranë bashkatdhetarëve që jetojnë larg vendlindjes, por edhe duke e prezantuar atë para publikut ndërkombëtar.
Biletat për koncertin në Toronto mund të sigurohen përmes faqes zyrtare të artistit, www.ramelahaj.com.
Foto: Ramë Lahaj/Instagram