Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm në karrierën e saj ndërkombëtare, duke u nderuar me çmimin “Global Hitmaker Award” (Çmimi për Krijuesen e Hitit Global), në ceremoninë “Billboard Canada Women in Music 2026”.
Ky çmim i është ndarë artistes në shenjë vlerësimi për kontributin e saj në industrinë muzikore, sukseset ndërkombëtare dhe angazhimin e vazhdueshëm në krijimin e këngëve që kanë arritur miliona dëgjime dhe kanë shënuar sukses në tregun botëror.
Faqja zyrtare e “Billboard Canada” ka publikuar edhe një dedikim për këngëtaren, duke rikujtuar ëndrrën e saj që nga fëmijëria për të qenë një ditë pjesë e listave prestigjioze muzikore.
“Përpara se Bebe Rexha të bëhej një krijuese e hiteve që arrijnë majat e shumë listave të Billboard-it, ajo ishte një vajzë e vogël që çdo javë shfletonte revistat e shtypura Billboard, duke shpresuar se një ditë do ta shihte emrin e saj të botuar në to. Në ceremoninë ‘Billboard Canada Women in Music 2026’, kjo ëndërr e fëmijërisë u bë realitet, teksa ajo pranoi çmimin ‘Global Hitmaker Award’”, shkroi Billboard Canada.
Gjatë pranimit të çmimit, Bebe Rexha mbajti një fjalim emocional, duke ndarë me të pranishmit kujtime nga fëmijëria dhe rrugëtimin e saj drejt suksesit.
Ajo tregoi se kur ishte e vogël, shkonte me nënën e saj në dyqan dhe drejtohej menjëherë te sektori i revistave, ku kërkonte të shihte botimet e “Billboard”.
“Kur isha më e vogël, shkoja me nënën time në dyqan dhe drejtohesha menjëherë te sektori i revistave. Në atë kohë blinim revistën ‘Billboard’. Shikoja të gjitha këngët në listën ‘Hot 100’ dhe mendoja: ‘O Zot, ndoshta një ditë do të arrij të shkruaj një këngë hit që do të jetë pjesë e kësaj liste’”, rrëfeu ajo.
Këngëtarja zbuloi gjithashtu se nëna e saj nuk ia lejonte gjithmonë blerjen e revistës, pasi ishte mjaft e shtrenjtë, por kjo nuk e pengonte të ëndërronte për të ardhmen e saj muzikore.
Ajo kujtoi edhe momentet kur shkruante këngë në shtëpinë e prindërve të saj në New York, duke treguar me humor se familja shqiptare i mbulonte mobiliet me plastikë për t’i ruajtur nga dëmtimet.
“Ne jemi shqiptarë dhe nëna ime vendoste plastikë mbi mobiliet, sepse nuk donte që t’i ndotnim. Por unë aty shkruaja këngët e mia. Pikërisht aty përfundova duke shkruar një nga hitet e mia të para”, tregoi artistja.
Rexha theksoi se në fillimet e karrierës nuk e kishte imagjinuar se sa larg mund të arrinte një këngë e suksesshme. Sipas saj, pavarësisht nëse shkruante për veten apo për artistë të tjerë, synimi i saj kryesor kishte qenë gjithmonë krijimi i një kënge të jashtëzakonshme.
Në fjalimin e saj, këngëtarja nuk la pa përmendur as prejardhjen shqiptare, duke e cilësuar kulturën e saj si një pjesë shumë të rëndësishme të identitetit.
Ajo foli edhe për pritshmëritë tradicionale që shpesh ekzistojnë në familjet shqiptare ndaj vajzave, veçanërisht për martesën dhe krijimin e familjes në moshë të re.
“Dua të falënderoj kulturën time, sepse të qenit shqiptare është një pjesë shumë e madhe e asaj që jam. Nëse je shqiptar, e njeh mentalitetin tradicional: martesa në moshë të re, dikush vjen të kërkojë dorën tënde dhe duhet të bëhesh nënë në moshën 24 apo 25-vjeçare. Unë thashë: ‘Në asnjë mënyrë!’”, u shpreh ajo me humor.
Bebe tregoi se kur dikush kishte ardhur për t’ia kërkuar dorën, nëna e saj kishte reaguar duke thënë se vajza e saj ishte e destinuar për shumë më tepër.
Artistja rikujtoi gjithashtu se ishte zhvendosur në Los Angeles në moshën 19-vjeçare për të ndjekur ëndrrën muzikore. Ajo përmendi edhe këngën “Lucifer” të grupit koreano-jugor SHINee, një prej projekteve të rëndësishme të hershme në karrierën e saj si autore këngësh.
Gjatë viteve, Rexha ka pasur mundësinë të bashkëpunojë me emra të mëdhenj të muzikës botërore, përfshirë Eminem, Rihanna, Nicki Minaj, David Guetta dhe Selena Gomez.
Në fund të fjalimit, ajo iu drejtua simbolikisht vetes së vogël, asaj vajze që dikur ëndërronte për një vend në listat e Billboard-it, duke thënë se do të dëshironte t’i tregonte të mos shqetësohej aq shumë, pasi gjithçka do të shkonte mirë.
“Do të doja t’i thosha asaj vajze të vogël: Qetësohu, nuk është çështje jete a vdekjeje. Gjithçka do të rregullohet”, përfundoi ajo me humor, duke shkaktuar të qeshura te të pranishmit.
Ky vlerësim përbën një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e Bebe Rexhës, e cila vazhdon të përfaqësojë me krenari prejardhjen e saj shqiptare në skenën ndërkombëtare. /Telegrafi/