Connect with us

Maqedoni

VMRO: Dimitrov është përgjegjës për dështimin e fillimit të negociatave me BE-në – Alsat

Published

on

Në Kuvend po zhvillohet debat i ashpër rreth interpelancës ndaj Zv/kryeministrit për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov. Sipas opozitës maqedonase, Dimitrov është përgjegjës për dështimin e fillimit të negociatave me BE-në, pasi ai ishte arkitekt i marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë në vitin 2017. Ky pakt sipas opozitës, i turpshëm, nuk obligon Sofjen ta mbështesë euro-integrimin e vendit dhe si pasojë vendi tani ndodhet para zgjedhjes së vështirë: të mos hapëroj drejt euro-integrimit ose populli maqedonas të pranojë diçka që nuk është.

“Duhet të jeni amator politik ose të keni agjendë tjetër të nënshkruani marrëveshje me shtet fqinj që jua konteston themelet e shtetit dhe përskaj kësaj të mos keni kurrfarë mekanizmash të kontrollit. Ashtu siç duhet të jeni amator të pranoni që komisioni për historinë të vendos për të ardhmen e shtetit. Në Ballkan ku secili ka interpretim të vetë të historisë, të pranoni historia të vendos për të ardhmen, e përsëris, është ose amatorizëm politik ose agjendë e fshehur. Dyshoj në të dytën, nuk jeni aq pa përvojë- deklaroi Aleksandar Nikollovski, VMRO DPMNE.

Dimitrov i hodhi poshtë akuzat si të pabaza, me arsyetimin se ai nuk mund të mbante përgjegjësi për premtimet që nuk i mbajti Unioni apo shkeljet që i bëri Sofja marrëveshjes. Madje Dimitrov tha se në Sofja ai konsiderohej “më i keq se Koronavirusi” dhe njeri që nuk lëshon pe.

“Për çka akuzohem?! Që nuk lejova negociata me çdo çmim, me çmimin e gjuhës maqedonase?! Mbase këtë e dëshiruat, që të mund ta plasonit tezën e tradhtisë së interesave kombëtare, sepse kështu kjo tezë nuk ju mbanë. Nëse këtë e kërkoni, menjëherë po ju them, asnjëherë nuk lejoj. Mirë që s’u kujtuat të ngrisnit interpelancë ndaj Komisionit Evropian që i dhanë kësaj Qeverie rekomandim të pakushtëzuar ose Këshillit Evropian për dritën jeshile, të pakushtëzuar për fillim të negociatave! Sepse bëhet fjalë për fjalët dhe vendimet e tyre- u përgjigj Nikolla Dimitrov, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Derisa opozita i kujtonte Dimitrovit se dorëheqja pas dështimeve është vlerë evropiane, pushteti këmbëngulte se ai është meritori për të gjitha sukseset e vendit në politikën e jashtme. Interpelanca ndaj Dimitrovit u propozua nga VMRO DPMNE-ja dhe të partia “E majta”.

Anesa Salihu