Connect with us

Maqedoni

S’ka afat të saktë për përfundimin e autostradës Shkup-Bllacë – Alsat

Published

on

Autoritet vijojnë të përsërisin premtimin disa dekadësh për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë por pa precizuar afatin. Zëvendëskryeministri Artan Grubi, pas takimit me zëvendëskryeministren e Kosovës, Albulena Balaj Halimaj deklaroi se po punojnë me intensitet që autostrada të përfundojë deri në fund të mandatit të Qeverisë.

E kemi edhe interes kombëtar, edhe shtetëror, edhe fqinjësor që të ndërtohet kjo autostradë dhe vlerësoj që brenda mandatit do ia presim shiritin autostradës – tha Artan Grubi, zv/kryeministër.

E pyetur për rastin e Kumanovës, respektivisht nëse autoritetet e Kosovës mbeten në qëndrimin për hetimin ndërkombëtar të rastit, zv/kryeministrja Halimaj shmangu përgjigjen. Ajo tha se sot po diskutonin çështje të tjera.

Ne presim që të ndriçohet për secilin rast gjithçka që ka ndodhur dhe do të ndodh në të ardhmen. Pra jemi këtu për diçka tjetër. Besoj se është interes i të dyja vendeve edhe kjo temë të cilën ju e ngritët, por ne do ta diskutojmë në një takim tjetër ose në një datë tjetër për këtë çështje. Është shumë e rëndësishme për qytetarët tonë kjo, por që ne sigurisht që jemi të interesohet gjithçka rreth asaj që ndodhi – deklaroi Albulena Balaj Halimaj, zv/kryeministre e Kosovës.

Hetim ndërkombëtar për rastin e Kumanovës premtuan edhe autoritetet në vend por deri më tani nuk është marr asnjë hap në këtë drejtim. Në ngjarjet e Kumanovës së 9 dhe 10 majit të vitit 2015, mbetën të vrarë 8 policë dhe 10 persona të grupit të armatosur.

Mefail Ismaili