Kultura shqiptare është prezantuar në qytetin e Hagenit në Gjermani, ku Ambasada e Shqipërisë organizoi një mbrëmje kulturore në kuadër të Javës Evropiane të Shqipërisë dhe festave të nëntorit.
Aktiviteti u mbajt më 26 nëntor në teatrin “Theater Hagen”, ndërsa lajmi u bë publik më 27 nëntor nga Ambasada e Shqipërisë në Gjermani.
Mbrëmja nisi me një takim mes përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në Gjermani dhe drejtuesve të teatrit. Të pranishmit i përshëndetën ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, drejtori ekzekutiv i teatrit, Søren Schuhmacher, si dhe drejtori artistik Taulant Shehu.
Pjesë e programit ishte edhe shfaqja e baletit bashkëkohor “UNFOLD”, e prezantuar nga trupa e “Ballett Hagen”, nën drejtimin artistik të koreografit shqiptar Taulant Shehu. Në program u interpretuan vepra të Jonathan Fredrickson, Emma Evelein dhe vetë Taulant Shehut.
Sipas njoftimit të ambasadës, shfaqja u prit me entuziazëm nga publiku gjerman dhe komuniteti shqiptar, duke sjellë në skenë artin bashkëkohor dhe krijimtarinë shqiptare, transmeton Telegrafi.
Ambasada e Shqipërisë e vlerësoi këtë aktivitet si një mundësi për të afruar kulturën shqiptare me publikun gjerman, për të forcuar lidhjet me diasporën dhe për të thelluar bashkëpunimin kulturor mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Aktivitete të tilla janë pjesë e përpjekjeve për ta mbajtur të lidhur diasporën shqiptare me vendin e origjinës dhe për ta promovuar kulturën shqiptare në skenat evropiane./Telegrafi/