Connect with us

Bota

Shkencëtarët e OBSH-së do të shkojnë në Wuhan për të hetuar origjinën e COVID-19 – Alsat

Published

on

Shkencëtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) do të udhëtojnë në Wuhan në janar të vitit të ardhshëm për të hetuar origjinën e koronavirusit, pas disa muaj negociata me Kinën për qasje.

– Advertisment –

Misioni ndërkombëtar pritet të shkojë në Kinë në javën e parë të janarit për të hetuar origjinën e virusit që shkaktoi pandeminë e koronavirusit, konfirmoi zëdhënësi i OBSH Hedinn Halldorsson, shkruan Daily Mail.

Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar mbi 1.6 milionë vdekje dhe ka infektuar mbi 73 milionë në mbarë botën, por origjina e tij mbetet ende një mister.

Kina raportoi rastet e para më 31 dhjetor të vitit të kaluar dhe mbylli një treg ku besohet të ketë shpërthyer koronavirusi i ri.

Ministrat e shëndetësisë i bënë thirrje OBSH-së në maj për të identifikuar burimin e virusit dhe mënyrën se si ai kaloi pengesën e specieve dhe agjencia shëndetësore e OKB-së dërgoi një ekip paraprak në Pekin në korrik për të hedhur bazat për hetimin ndërkombëtar.

Por deri më tani ka mbetur e paqartë se kur një ekip më i gjerë i shkencëtarëve do të jetë në gjendje të udhëtojë në Kinë për studime epidemiologjike, për të provuar të identifikojë rastet e para njerëzore dhe burimin e infeksionit.

Tani një ekip prej 12-15 ekspertësh ndërkombëtarë po përgatiten të shkojë në Wuhan për të ekzaminuar provat, përfshirë mostrat njerëzore dhe shtazore të mbledhura nga studiuesit kinezë, dhe për të mbështetur studimet e tyre fillestare.

Thea Fischer, një anëtar danez, tha se ekipi do të largohej ‘menjëherë pas Vitit të Ri’ për një mision gjashtë-javor, duke përfshirë dy javë karantinë pas mbërritjes.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë akuzuar Kinën se ka fshehur përhapjen e shpërthimit, kanë bërë thirrje për një hetim ‘transparent’ të udhëhequr nga OBSH dhe kritikuan kushtet e saj, të cilat lejuan shkencëtarët kinezë të bëjnë fazën e parë të kërkimit paraprak

“Faza 1 ishte menduar të përfundonte deri tani, sipas termave të referencës, dhe ne duhet të kemi disa rezultate. Nëse kjo është ajo që marrim kur vijmë në Kinë … kjo do të ishte fantastike. Atëherë ne jemi tashmë në fazën 2,”, tha Fischer për Reuters.

Keith Hamilton, një ekspert në Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OIE) i cili do të marrë pjesë, tha për media dje se ‘misioni të nisë shumë shpejt.’

Zëdhënësi i OBSH-së Tarik Jasarevic tha në një përgjigje elektronike për Reuters se ekipi ndërkombëtar po punonte për aranzhimet logjistike për të udhëtuar në Kinë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ne shpresojmë që ekipi të jetë në gjendje të udhëtojë në janar,” tha ai.

Media shtetërore kineze ka sugjeruar që virusi ekzistonte jashtë vendit para se të zbulohej në Wuhan, duke përmendur praninë e tij në paketimin e ushqimit të ngrirë të importuar dhe dokumentet shkencore, duke pretenduar se ai kishte qarkulluar në Evropë vitin e kaluar

Peter Ben Embarek, ekspert i OBSH-së mbi sëmundjet e kafshëve, tha muajin e kaluar se misioni do të dëshironte të intervistojë punonjësit e tregut se si ishin infektuar me virusin. Ai tha se nuk ka dëshmi se virusi do të ishte krijuar nga njeriu.

Shkencëtarët fillimisht besuan se virusi vrasës u bart nga kafshët te njerëzit në një treg që shiste mish të kafshëve ekzotike në qytetin e Wuhan, ku virusi u zbulua për herë të parë në fund të vitit të kaluar. Por ekspertët tani mendojnë se tregu mund të mos ketë qenë origjina e shpërthimit.

Supozohet se virusi fillimisht erdhi nga lakuriqët e natës, por pritësi i ndërmjetëm i kafshëve që e transmetoi atë midis lakuriqëve të natës dhe njerëzve mbetet i panjohur.