Connect with us

Maqedoni

Regjistrimi i popullsisë do të bëhet në prill të vitit të ardhshëm

Published

on


Qeveria nuk tërhiqet nga propozimi që regjistrimi i popullsisë të mbahet në prill të vitit 2021. Në propozimin e dërguar në Kuvend, organi ekzekutiv nuk ka ndryshuar asgjë në draftin e propozuar para shpërndarjes së Kuvendit në shkurt të këtij viti. Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq thotë se ky propozim është hartuar në përputhje me kërkesat e opozitës nga e cila pret mbështetje dhe debat konstruktiv.

“Qeveria mbetet në tekstin e propozim-ligjit paraprak. I dimë vërejtjet e opozitës të cilat janë në kundërshtim total me standardet e BE-së. Neve kërkojmë regjistrim të cilin nuk do ta bëj një Komision Shtetëror i Regjistrimit por do të bëhet përmes Entit të Statistikave. Do të përdoren të gjitha mekanizmat bashkëkohorë. Çdo zvarritje në negociata dhe debat mund të na çoj në situatë që regjistrimi të zvarritet akoma më shumë, ndërsa realizimi i regjistrimit në vitin 2021 ishte kërkesë e opozitës”, deklaroi Bojan Mariçiq, Ministër i Drejtësisë.

Opozita akuzon pushtetin se po tenton të bëj regjistrim politik të popullsisë për interesa të ngushta dhe politika ditore. VMRO-DPMNE-ja kërkon që regjistrimin ta realizojë një komision i posaçëm shtetëror.

“Regjistrimi i popullsisë nuk guxon të bëhet në varësi të interesave politike të Zoran Zaevit, por duke respektuar kriteret Evropiane të EUROSTAT-it. Një regjistrim i cili bie në kundërshtim me standardet Evropiane, VMRO-DPMNE-ja nuk do ta mbështet. Nëse dështon edhe ky regjistrim, fajin e plotë do ta ketë Qeveria sepse deri tani janë zhvilluar konsultime pa opozitën”, tha Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Edhe partitë shqiptare kanë qëndrim të ndarë. BDI kërkon që regjistrimi të mbahet në përputhje me marrëveshjen politike, në prill të vitit 2021. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë që deri në fund të vitit çështja të futet në procedurë parlamentare me qëllim që Ligji për regjistrimin e popullsisë të ketë kohë amendimi dhe debati. Lëvizja Besa kusht për ta mbështetur këtë ligj ka Ligjin për letërnjoftime ku përmes dispozitave ligjore kërkon vendosjen e grafës së përkatësisë etnike, e cila sipas tyre do të anashkalonte manipulimin e procesit.

Adrian Kerimi