Ndonëse në kushte të jashtëzakonshme, për shkak të pandemisë Covid-19, Prishtina International Theater Festival, mbrëmë ka mbyllur edicionin e tij të katërt.
Në këtë edicion të festivalit, i cili zgjati nga datat 19-23 dhjetor 2020, u dhanë katër shfaqje në programin konkurrues, me pjesëmarren e trupave profesioniste teatrale nga Bullgaria, Kroacia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa pjesë e festivalit ishte edhe shfaqja mysafire “Bretkosa” prodhim i Teatrit AAB.
Juria profesionale e PITF 2020 në përbërje të: Donat Qosja, aktor nga Kosova; Arbënesha Grabovci – Nixha, aktore nga Kosova dhe Adem Karaga, aktor nga Maqedonia e Veriut, vendosi që çmimi kryesor i festivalit, Aktori më i mirë, t’ i takojë aktores nga Kroacia, Ecija Ojdanić, për rolin e saj në shfaqjen “Vla-vla-Vlajland”.
Foto: Facebook
Çmimi për rolin më të mirë dytësor, iu nda aktorit nga Kosova, Valmir Krasniqi, për rolin e tij në shfaqjen “Allo, allo”, prodhim i Teatrit “Hadi Shehu” nga Gjakova;
Çmimi për regjinë më të mirë, i takoi regjisorit kroat Ivan Leo Lemo, për shfaqjen “Vla-vla-Vlajland”;
Sipas vlerësimit të jurisë profesionale, shfaqja më e mirë e festivalit u vlerësua shfaqja “Allo, allo”, e Teatrit të Gjakovës.
PITF2020, ka ndarë edhe dy çmime për shfaqjen më të mirë të festivalit sipas vlerësimit të Jurisë së studentëve të Kolegjit AAB dhe Jurisë së medias.
Foto: Facebook
Çmimin për shfaqjen më të mirë të edicionit të katërt të PITF2020, sipas gjykimit të studentëve e mori shfaqja “Possible Worlds”, prodhim i Teatrit Nacional të Shtipit nga Maqedonia e Veriut.
Ndërsa Juria e Medias, si shfaqjen më të mirë të festivalit e vlerësoi shfaqjen nga Kosova “Allo, allo”, të cilën e solli trupa e Teatrit “Hadi Shehu” nga Gjakova.
Kujtomë se PITF (Prishtina International Theater Festival) është i vetmi festival në vend me karakter ndërkombëtar, i cili organizohet nga Teatri AAB “Faruk Begolli” në Prishtinë.
Ceremoninë e ndarjes së Çmimeve të PITF2020, mund ta ndiqni këtu.