Poligraf: Kush përhapi një lajm të pavërtetë se një derr i egër ka sulmuar snouborderë në Mavrovë? – Alsat
Published
4 years ago
on
By
Shpesh ndodh që portalet të publikojnë informacione të pavërteta duke përdorur si burim postimet në rrjetet sociale. I tillë është shembulli me disa portale, të cilët më 14 dhe 15 shkurt 2023 publikuan informacion të pavërtetë se një derr i egër ka sulmuar snouborderë në Mavrovë.
Në fakt, mediat që publikuan këtë të pavërtetë kanë cituar si burim një profil të njohur në Tuiter, i cili ka shpërndarë video virale në të cilën një derr i egër sulmon snouborderë, me tekstin: “Ndërkohë në Mavrovë”.
Mirëpo, në komentet poshtë tuit-it, autori tregon se ngjarja nuk ka ndodhur në Mavrovë. Por pavarësisht kësaj, lajmi i rremë u përhap në disa media.
E cila është e vërteta? Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në një qendër skijimi në Mioko të Japonisë, ndërsa videon më 10.02.2023 e botoi edhe stacioni i njohur televiziv japonez, Nippon TV.
Edhe ky rast tregon se kontrolli i fakteve shpesh dështon në media, të cilat përdorin burime jo të besueshme nga rrjetet sociale. Publiku duhet të ketë kujdes kur lexon informacione të bazuara në burime nga rrjetet sociale. E ky mësim vlen veçanërisht për mediat, të cilat kanë për detyrë të kontrollojnë informacionin përpara se ta publikojnë.