Connect with us

Business

Paralajmërojnë ekspertët: Dëmet në ekonomi zinxhirore, të evitohet mbyllja

Published

on

Masat e vendosura në muajin gusht, pritet të vazhdojnë edhe pas 13 shtatorit, kjo si pasojë e rritjes së numrit të rasteve dhe vdekjeve në vend nga COVID-19.

Këtë e paralajmëroi në një konferencë për media, ministri i shëndetësisë, Arben Vitia.

Ekspertët e ekonomisë tregojnë për impaktin që këto masa do ta kenë në në këtë sektorë.

Analisti i kësaj fushe, Bardh Ahmeti, tha se dëmi në ekonominë e vendit është zinxhirorë.

Ai tha se të hyrat për buxhetin e shtetit bien, të papunët që kërkojnë mbështetje nga pakot e ringjalljes ekonomike rriten, edhe fuqia blerëse në përgjithësi zvogëlohet.

Masat e reja e kanë ndalu në tërësi një pjesë të gastronomisë, dhe këtë e ka dëmtu një zinxhirë të tërë të ekonomisë që lidhet me furnizime, me sektorë të tjerë të cilët ofrojnë shërbime për gastronominë, por përtej gastronomisë sjellja e konsumatorit ndryshon edhe për sektorë të tjerë e që dihet edhe në buxhetin e shtetit por edhe në ekonominë në tërësi është i prekshëm, të hyrat për buxhetin e shtetit bien, të papunët që kërkojnë mbështetje nga pakot e ringjalljes ekonomike rriten, edhe fuqia blerëse në përgjithësi zvogëlohet”, tha ai.

Ai sheh edhe sinjale pozitive nga Pakoja e Ringjalljes që po i mbështet sadopak bizneset.

Jo të gjithë janë të kënaqur me atë ndihmesë nga Qeveria, por pavarësisht kësaj Ahmeti thotë se primare duhet të jetë shëndeti publik.

Një pjesë dërrmuese e bizneseve janë duke gjetur mbështetje në këto pakot aktive që janë të qeverisë. Sigurisht jo të gjithë janë të kënaqur, ka të tillë që nuk kërkojnë ndihmë nga qeveria thjesht kërkojnë që të lejohen të punojnë, mirëpo nëse shikojmë një të mirë të përgjithshme që është interes i madh në këtë kohë imunizimi dhe shëndeti publik atëherë masat duhet të merren duke parë numrin e lartë sidomos të fataliteteve që e kemi përditë”, tha Ahmeti.

Në anën tjetër, ekonomisti Safet Gërxhaliu tha se çdo mbyllje e re sjell t’kurrje në ekonomi.

Madje, ai u shpreh i shqetësuar duke thënë se mbyllja duhet të evitohet.

Duhet të evitohet mbyllja se me të vërtetë është koha që duhet me mendu se çka është e kundërta e mbylljes dhe jo gjithmonë alternative e burokracisë dhe mosfunksionimit të shtetit të jetë mbyllja, nga e cila mbyllje goditen qytetarët dhe bizneset e Kosovës”, tha Gërxhaliu.

Kosova është e fundit sa i përket ndihmës së bizneseve, e për këtë Gërxhaliu kërkon që të ketë përgjegjësi institucionale.

Që nga fillimi i pandemisë në mars 2020 e deri më tani, Kosova është e fundit sa i përket ndihmës së bizneseve, i thoni dikujt që për rimëkëmbje janë shpenzu vetëm 200 milionë është e pabesueshme, i thoni dikujt që nga janari i këtij viti deri në fund të këtij gushti janë shpenzu më pak se 100 milionë euro është e dyta, dhe ajo çka na bënë më shqetësues është fakti që miratohen ligje qoftë ligji për ndihmë emergjente, qoftë për rimëkëmbje, qoftë tani ligji për 420 milionë euro, por tani këto zotime qytetarët dhe bizneset nuk po i shijon”, tha Gërxhaliu

Më 30 gusht në Kosovë kanë nisur së zbatuari masat e reja për luftim të pandemisë.

Ahengjet dhe dasmat janë anuluar, është zvogëluar orari i bizneseve të gastronomisë, si dhe është shtuar kërkesa për dëshmi të vaksinimit për të fituar qasje në një mori aktivitetesh. Të gjithë punëtorët e bizneseve, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejt me klientët, duhet të jenë të vaksinuar apo të kenë test negativ.

Alsat