Connect with us

Business

Nuk jemi qenie racionale. Ekonomistët e kanë kuptuar dhe ja marifetet e tyre

Published

on

Preferoni një mollë sot apo dy nesër? E keni menduar? Ndaluni pak. Tani preferoni një mollë në një vit, domethënë 365 ditë, ose dy mollë në një vit dhe një ditë, domethënë 366 ditë? Ndërsa në pyetjen e parë keni menduar pak dhe pastaj është e mundur që të jeni përgjigjur “një mollë sot”, jemi të sigurt për të dytën: keni zgjedhur dy mollë pa hezitim në 366 ditë. Megjithatë, ndryshimi midis pritjes për mollën e parë dhe të dytë është gjithmonë i njëjti: një ditë. Atëherë, pse, nëse bëhet fjalë për të pritur një vit, ka më pak rëndësi ajo ditë?

Jua themi ne, ose më saktë: Çmimi Nobel në Ekonomi 2017, Amerikani Richard H. Thaler, e tregon kështu. Sepse gjërat nuk kanë të njëjtën vlerë për ne nëse na i japin menjëherë, ose nëse na i premtojnë për kush e di se kur. Dhe i themi vetes “mund të presim edhe një ditë”, nëse kjo ditë është shumë larg në kohë. Në përgjithësi, argumenton Thaler, për ne numrat ndryshojnë kuptimin në varësi të mënyrës sesi na i paraqesin ato, ose si i shohim. Dhe ndodh kështu edhe nëse janë para: pesëdhjetë euro të gjetura rastësisht në tokë i harxhojmë të lumtur, menjëherë dhe pa keqardhje; me pesëdhjetë euro të fituara, ne jemi shumë më të matur. Megjithatë ato mbeten thjesht pesëdhjetë euro.

Nga dita kur shkencëtarët kuptuan që ne sillemi në këtë mënyrë në jetën tonë, e cila nuk është rreptësisht logjike dhe racionale, shumë gjëra kanë ndryshuar. Por nuk ka qenë e lehtë: u deshën disa vjet dhe shumë mendje për të arritur deri këtu, në një çmim Nobel për ekonominë, i cili shpërblen pasi zbulon racionalitetin tonë të papërsosur.

INTELIGJENCA OLIMPIKE

Deri në mes të shekullit të kaluar, në fakt, ekonomistët arsyetonin kështu: nëse ne njerëzit duhet të marrim një vendim (të blini një çantë apo një palë këpucë? Të pranojmë një mollë sot apo të presim dy nesër?)ne numërojmë, peshojmë pro-të dhe kundra-t, dhe bëjmë një zgjedhje të informuar. Krejt logjike. Sidoqoftë, në një moment të caktuar, gjërat filluan të mos kuptoheshin më. Ose më saktë: duke ndjekur këtë ide, ekonomistët nuk mund të parashikonin lëvizjet e tregut, një shenjë që tregonte se nuk ishte tamam e vërtetë që ne njerëzit jemi të parashikueshëm dhe racionalë. Përkundrazi: ne shpesh kënaqemi me pasigurinë, bëjmë zgjedhje të diktuara nga emocionet, lejojmë që të ndikohemi. Dhe ndonjëherë e kuptojmë gabim. Ndër të parët që e kuptuan këtë ishte Herbert Simon: psikolog, një nga baballarët e inteligjencës artificiale, ai e kuptoi shumë mirë se si inteligjenca natyrale nuk është aspak e përsosur.

Ishin vitet 1950 dhe Simon filloi të fliste për “racionalitet të kufizuar”. Për të çështja është se truri duhet t’I bjerë shkurt: nuk humb kohë duke bërë llogaritjet dhe është i kënaqur me vendimin më të mirë për kënaqësinë e tij të menjëhershme, në vend që të ndjekë zgjedhjen më të mirë objektive. Dhe këtu është Çmimi i parë Nobel për ata që thyen të ashtuquajturën ekonomi klasike: ishte viti 1978.

ENOTEKE, APO SUPERMERKATE?

Në ato vite, dy psikologë po mendonin gjithashtu se si ne marrim vendime të caktuara në kokën tonë. Ata quheshin Daniel Kahneman dhe Amos Tversky dhe bënë eksperimente si ky: ta zëmë se duhej të blini një shishe verë; poshtë shtëpisë dyqani i verërave e shet 15 euro, ndërsa nëse bëni një shëtitje 20-minutëshe mund të arrini në supermarketin që e shet për dhjetë Euro. Cfarë do të bëni? Eshtë e mundshme që ju do të vendosni të ecni. Sidoqoftë, po këto 20 minuta, me siguri nuk do t’i harxhoni, nëse bëhet fjalë për të kursyer 5 euro në njëqind ose më shumë për një palë këpucë. Megjithatë janë gjithmonë 5 euro, dhe gjithmonë 20 minuta. Të dy psikologët përshkruan saktësisht këto mekanizma mendorë të përbashkët për të gjithë njerëzit, dhe Kahneman në 2002 mori Çmimin Nobel për ekonomi (Tversky kishte ndërruar jetë ndërkohë).

Dhe këtu më në fund jemi në çmimin Nobel për Thalerin. “Kontributi i tij në zhvillimin e këtij sektori të ekonomisë është i dyfishtë”, shpjegon Riccardo Viale, profesor i Ekonomisë së Sjelljes në Universitetin e Bicocca të Milanos dhe sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë Herbert Simon (e cila merret me racionalitetin dhe ekonominë) në Torino. “Së pari, ai konsiderohet babai i financave të sjelljes, pra i degës që merret me transaksione monetare”. Thaler, në veçanti, ka treguar se, në tregun e aksioneve, çmimi i aksioneve nuk ndjek logjikën racionale: “Investitorët priren të veprojnë në grupe, të ndjekin trendet dhe të kenë shumë vetëbesim.  Kështu që ai që është më i zgjuar se të tjerët mund të kuptojë irracionalitetet e tregut dhe të fitojë, fitojë dhe fitojë më shumë”, vazhdon Viale. Nuk është vetëm teori: një fond investimesh i bazuar në këtë parim ekziston vërtet: quhet Dpam Capital B, u themelua në 2002 dhe shkon shumë mirë.

ME NDARJE

Kontributi i dytë i Thalerit ka të bëjë me kontabilitetin mendor, ai është zbulimi se si “ne priremi t’i etiketojmë paratë tona nga burimi I tyre, i vendosim ato në “kontejnerë” të fiksuar mendorë”, shpjegon Viale. Ky është shembulli i 50 eurove të gjetura në tokë dhe i dy mollëve në një vit e një ditë. Por jo vetëm: “Ne së pari shpenzojmë likuiditetin e pagës sonë, ndërsa jemi më të kujdesshëm kur bëhet fjalë për të ardhurat nga pasuritë tona të patundshme (p.sh. për të shitur dhe për të blerë shtëpi) dhe aktive të luajtshme (investime financiare). Ajo që shpenzojmë edhe me më pak lehtësi është një trashëgimi, të cilën kemi tendencë ta lëmë mënjanë më shpesh”, thotë Viale.

Ky kontabilitet mendor nuk ka shumë kuptim: paratë janë para. E pecunia non olet (“paraja nuk mban erë”), thoshte Vespasiani, për të theksuar se origjina e parave nuk e ndryshon vlerën e tyre. Vespasiani e thoshte këtë në lidhje me taksën që u kishte vendosur urinareve publike: ne mund ta adaptojmë në jetën tonë të përditshme duke u përpjekur gjithmonë të jemi njëlloj të matur, qoftë kur bëhet fjalë nga një trashëgimi e xhaxhait, apo para nga një llotari. Nuk është e lehtë, aq sa vetë Thaler, në momentin e shpalljes së Çmimit Nobel, bëri shaka: “Si do t’i shpenzoj paratë e çmimit? Në mënyrën më irracionale të mundshme!”, deklaroi ai.

Thaler, ndryshe nga kolegët e tij të përmendur më lart, është një ekonomist, jo psikolog: ai dhe juristi amerikan Cass Sunstein kanë kaluar kohë duke punuar me qeveritë Obama në Shtetet e Bashkuara dhe Cameron në Mbretërinë e Bashkuar. Sepse, thonë ata, nëse ne njerëzit jemi kaq irracionalë, atëherë ndoshta është më mirë që në raste të caktuara, për të mirën tonë dhe të mirën kolektive, dikush të na ndihmojë.

ÇFARE SHENJESTRE!

Këtë ndihmë, një shtytje e mirë drejt sjelljes më të mençur, ata e quajtën ngacmim. Shembulli më piktoresk, që me sa duket do ta kishte dashur edhe Vespasiani, është ai i një mize të pikturuar në urinatoren e burrave (një model i gjetur, për shembull, në aeroportin e Amsterdamit):  ndërsa zotërinjve u pëlqen të luajnë duke e shënjestruar, të gjithë do të godasin objektivin më kollaj, duke përmirësuar higjienën e banjës. “Në përgjithësi, koncepti i shtytjes nënkupton hyrjen në dimensionin psikologjik të gjërave, duke kuptuar se si interpretohen nga njerëzit”, vazhdon Viale.

“Mashtrimi” më i rëndësishëm i Thaler ka të bëjë me respektimin e një plani të akumulimit të pensioneve nga punëtorët amerikanë, të cilët nuk paguajnë detyrimisht kontribute por mund të zgjedhin të mos i paguajnë. Dhe shumë prej tyre në fakt zgjedhin të shpenzojnë gjithçka kur janë të rinj, duke rrezikuar ta gjejnë veten në varfëri kur të jenë plakur. “Ideja e Thaler ishte kjo: ju jeni pajtuar në planin e pensionit, i cili nis pas 6 muajsh (nëse do të ishte shkaktuar menjëherë do të ishit mërzitur). Për më tepër, ju kanë thënë se paga juaj e përgjithshme nuk do të ulej”, shpjegon Viale. Në të vërtetë nuk ishte plotësisht e vërtetë, sepse ata i referoheshin pagës bruto, ndërsa neto po zvogëlohej. Por në këtë mënyrë, dy nga tendencat tona klasike u anashkaluan: ajo për të cilën ka gjithmonë kohë për qëllime të mira (dieta fillon gjithmonë nesër, apo jo?).  Dhe jo ku paratë që humbni ju mërzisin më shumë, se sa ju kënaqin paratë që fitoni. Funksionoi? “Po, dhe qindra-mijëra punëtorë amerikanë kanë një sistem pensioni,” përfundon Viale.

TUNDIME

Morali është që përpara se të propozosh një ligj, një detyrim, një ndalim, para se të miratosh ndonjë masë, por edhe para se të luash në tregun e aksioneve dhe të bësh investime të rëndësishme, është e këshillueshme të kuptosh se si funksionojnë mendjet njerëzve,  se ne jemi gjithçka përveç se llogaritës të ftohtë. Madje, edhe politika funksionon më mirë nëse di të përdorë pak psikologji aty-këtu (dhe dinakëri, pse jo?). Për shembull, mund të zbulohet se marrja e shembujve negativë (“sa shumë I shmangin taksat!”) mund t’i shtyjë shumë që t’i ndjekin ata në shembullin e tyre (“epo, një më shumë, një më pak, edhe unë shpëtoj… dhe sigurisht nuk do të më kapin”). Të luajturit me mollët sot dhe mollët nesër na ndihmon të kuptojmë se si dhe pse sillemi në këtë mënyrë, dhe të marrim në shtëpi një Çmim Nobel. / Bota.al

Alsat

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Business

OPEC+ do të rrisë prodhimin e naftës pas muajit prillit

Published

on

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, të njohur si OPEC+, do të rrisin gradualisht prodhimin e naftës midis majit dhe korrikut, u citua zëvendëskryeministri rus Aleksandër Novak nga agjencia e lajmeve Interfax.

Ish-ministri i energjisë i referohet marrëveshjes së fundit të ministrave të OPEC+ sipas së cilës vendet kryesore prodhuese të naftës do të rrisin prodhimin e tyre pas prillit. Prodhimi i grupit do të rritet me 2,1 milionë fuçi në ditë deri në fund të korrikut, duke lehtësuar frenimin aktual të prodhimit prej 7,9 milionë fuçi në ditë.

Novak gjithashtu tha se Ministria e Energjisë e Rusisë është e gatshme të mbështesë kufijtë e eksportit në produktet e naftës në mënyrë që të forcojë tregun e brendshëm.

Alsat

Continue Reading

Business

Osmani prezantoi katër këshilltarët ekonomikë, do të vendosen në Varshavë, Mynih, Ankara dhe Abu Dabi

Published

on

Kreu i diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani sot ka prezantuar pjesën e parë të pilot-projektit për këshilltarët e ardhshëm ekonomikë të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe aktivitetet e planifikuara në lidhje me diplomacinë ekonomike, transmeton Alsat.

Illija Psalltirov në Varshavë, Abdylxhemil Saiti në Mynih, Suzana Tuneva në Ankara dhe Bekri Ajdini në Abu Dabi, këto janë katër këshilltarët e parë ekonomikë që dërgohen në ambasadat në këto katër destinacione e që do të duhet zbatojnë politikat ekonomike që do të përgatiten për secilin vend veçmas.

“Deri sa të nisin punën, që pritet të fillojë në gjysmën e dytë të vitit, këshilltarët ekonomikë do t’i nënshtrohen një trajnimi të gjerë teorik dhe praktik, të krijuar posaçërisht për këtë projekt, i cili bazohet në përvojat më të fundit të vendeve të zhvilluara. Fokusi i trajnimit do të jenë nevojat dhe specifikat e ekonomisë sonë, biznesit tonë, specifikave të produkteve dhe potencialeve të eksportit, specifikat e pozicionit tonë gjeo-strategjik në aspektin ekonomik dhe të biznesit, specifikat e burimeve tona, potencialet tona”, tha Osmani.

 

Alsat

Continue Reading

Business

Qeveria të subvencionojë eksportuesit, bilanci tregtar ende negativ

Published

on

Përkundër trendit rritës të nivelit të eksportit të mallrave vendore në tregjet evropiane, Kosova vazhdon të ketë ende bilanc tregtar negativ, si rrjedhojë e importit të lartë.

Në tre muajit e parë të këtij viti niveli eksporteve ka shënuar rritje prej 55 milionë euro, por megjithatë njohës të ekonomisë po konsiderojnë se ky trend ende është i ulët krahasuar me importin e madh që ka vendi.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Ismet Mulaj thekson për KosovaPress se është e vërtetë se ka një rritje të sasisë së produkteve të cilat eksportohen në tregjet ndërkombëtare, por prapë sipas tij është përqindje e ulët.

Njohësi i kësaj fushe, Mulaj ka kërkuar nga Qeveria e re mbështetjen e prodhuesve vendorë me anë të përmirësimit të politikave tregtare, duke subvencionuar kompanitë eksportuese.

Mulaj: Qeveria të subvencionojë kompanitë eksportuese

“Ende është rrit importi i produkteve shumë më shumë. Arsyeja më e madhe ka qenë arsyeja e konsumit më të madh. Por, është trend i mirë(rritja eksportit), trend të cilin ka qenë dashur të ndikojë shteti i Kosovës përmes politikave adekuate, të cilat do të mbështesnin në mënyrë direkte prodhuesin, i cili ka për synim eksportin. Ka plotë praktika të mira ndërkombëtare, por edhe rajonale ku shtetet, qeveritë e ndryshme përmes politikave të tyre lehtësuese subvencionuese ndihmojnë politikat eksportuese me qëllim që të përmirësohet bilanci tregtar i Kosovës. Ende jemi vendi më konsumues në Evropë dhe do të duhej një strategji ndoshta dhjetë vjeçare që mbështet prej të gjitha partive politike dhe për dhjetë vjet fuqia e shtetit orientohet në ato masa të cilat do të përmirësonin politikat tregtare të Kosovës”, thekson Mulaj.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress se përkundër pandemisë Covid-19 niveli i eksporteve në tre mujorin e parë të këtij viti ka shënuar rritje prej 64 përqind, dhe siç thotë ai bilanci tregtar i Kosovës, pritet të jetë mbi 15 përqind mbulimi i importit me eksport.

Stavileci thotë se eksportet në vitin e kaluar kanë qenë 450 milionë euro, ndërsa presin që ky nivel sivjet të arrin deri në 700 milionë.

Stavileci: Përkundër pandemisë ka rritje të eksportit

“Në tre mujorin e parë të vitit 2020 kanë qenë 87 milionë euro mallra të eksportuara, derisa sivjet kjo shifër është arritur të jetë jashtëzakonisht e kënaqshme, kemi 142 milionë euro të cilat janë eksportuar, derisa rritja në vlerë është 55 milionë euro më shumë mallra të eksportuara në tre mujorin e këtij viti se në tre mujorin e vitit të kaluar… Përkundër pandemisë ne kemi parë që edhe vjet nëse e krahasojë eksportin e këtij viti me vitin e kaluar, është se viti i kaluar ka qenë një vit më i mirë i eksportit të produkteve kosovare. Derisa sivjet ky trend ende është duke u rrit nëse ne kemi 64 përqind më shumë mallra të eksportuara, ne presim që deri në fund të vitit të përmbyllet viti me 600-700 milionë euro mallra të eksportuara”, thekson ai.

Stavileci thotë se mallrat të cilat kanë arrit të gjejnë treg si në tregun Evropian, ashtu edhe drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë produkte të industrisë ushqimore, të mobileve (përpunimit të drurit) dhe industrive metalike.

Edhe zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) Ilir Berisha thotë për KosovaPress se sa i përket treguesve makroekonomikë, eksportet gjatë vitit të kaluar kanë shënuar rritje 24 përqind, ndërsa importet kanë shënuar një rënie prej 5.7 përqind për shkak të pandemisë.

Berisha: Bilanci tregtar është përmirësuar për 9.4 përiqnd

“Eksportet janar – dhjetor 2020 në krahasim me 2019 kanë pasur një rritje prej 24 përqind, ndërsa te importet ka pasur një rënie prej 5.7 përqind dhe kur e publikojmë si informator makro ekonomik bilancin tregtar dhe gjithashtu përqindjen e evulimit më 2020 është rritë kjo përqindja e mbulimit të importit me eksport me 14 përqind edhe pse mbetet ende e ulët, ndërsa në vitin 2019 ishte 11 përqind. Bilanci tregtar është përmirësuar për 9.4 përqind në krahasim me 2019”, thotë Berisha.

Në anën tjetër, sipas Ismet Mulajt ngritja e cilësisë së produkteve është një proces ashtu siç është sigurimi i tregjeve, por dora e shtetit sipas të cilit në këtë drejtim do të ndihmonte edhe më shumë prodhuesin.

Mulaj: Qeveria duhet të përmirësojë ambientin e të bërit biznes

“Tregjet ndërkombëtare kanë ‘etje’ për produkte të reja, për produkte të cilat vijnë prej vendeve që janë në zhvillim, prej vendeve të varfra, për shkak edhe të kostos prodhuese. Por çfarë do të duhej shtetit të bëj? E para të përmirësojnë ambientin e të bërit biznes në Kosovë që prodhuesit në Kosovës të ndihen të stimuluar, të përkrahur, të mbështetur që prodhimet e tyre të jenë konkurruese në raport me prodhuesit në rajon dhe nga bota”, thotë ai.

Mulaj shton se Kosovës i nevojiten marrëveshje preferenciale sikur me SHBA-të dhe me BE-në, edhe me Turqinë e cila nuk është nënshkruar asnjë herë. 

Alsat

Continue Reading

Trending