Connect with us

Business

Nga tërheqja e 10 % në Trust fituan edhe bankat

Published

on

Nga tërheqja e 10 për qindëshit në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës bankat komerciale në Kosovë kanë rritur fitimet e tyre. Kjo është bërë e ditur në Raportin e Stabilitetit Financiar, janar -dhjetor 2020 i publikuar para pak ditëve nga Banka Qendrore e Kosovës.

Sipas BQK-së, depozitat në banka, të cilat në dhjetor 2020 përbënin 81 për qind të burimeve të financimit, shënuan rritje vjetore prej 12 për qind, kryesisht si rezultat i rritjes së depozitave të transferueshme të ekonomive familjare, të nxitura nga kursimi më i madh si rezultat i rritjes së pasigurive, tërheqja e 10 për qind të kursimeve pensionale dhe niveli më i lartë i remitencave.

“Tërheqja e 10 përqind të mjeteve pensionale ka ndikuar në rritje të theksuar të aseteve të sektorit bankar, të cilat në dhjetor u shtuan për 225.6 milionë euro krahasuar me 78.3 milionë euro në nëntor 2020 (mesatarja mujore e rritjes gjatë periudhës janar-nëntor 2020 ishte për 33.4 milionë euro)”, thuhet në raport.

Edhe niveli i depozitave në dhjetor 2020 u rrit për 215.4 milionë euro krahasuar me 66.9 milionë euro në nëntor 2020 (mesatarja mujore e rritjes gjatë periudhës janar-nëntor 2020 ishte 21.4 milionë euro).

Për më tepër, në dhjetor 2020, niveli i rezervave mbi rezervën e obliguar ishte për 302.1 milionë euro më e lartë, e që është dukshëm më e lartë se + 179.6 milionë euro në muajin paraprak, dhe +186.6 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Transferimi i mjeteve pensionale në llogari bankare të qytetarëve ka ndikuar edhe në rritje të theksuar të numrit dhe vlerës së transaksioneve përmes sistemit të pagesave i cili operohet dhe mbikëqyret nga BQK-ja.

“Numri i transaksioneve të kategorisë ‘pagë/pension’ në dhjetor 2020 arriti vlerën në 879.5 mijë sosh (mesatare mujore prej 472.5 mijë sosh gjatë periudhës janar-nëntor 2020), kurse vlera e transaksioneve arrit në 316.0 milionë euro (119.9 milionë euro mesatarja mujore gjatë periudhës janar-nëntor 2020)”.

Alsat