Showbiz

Nga “Nëntori i dytë” te “Udha e shkronjave”: Gjashtë filma shqiptarë që ia vlen t’i (ri)shikoni për 28 Nëntor

Published

on

Kinematografia shqiptare ndër vite ka sjellë në ekran disa prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare. Nga qëndresa e Skënderbeut dhe shpallja e Pavarësisë, deri te përpjekjet për ruajtjen e gjuhës shqipe, këto vepra vazhdojnë të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore.

Çdo 28 Nëntor, shqiptarët anembanë botës festojnë Ditën e Flamurit dhe përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Këtë vit shënohen 114 vjet nga ngjarja historike e Vlorës, që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë shqiptare.


Përtej flamujve kuqezi, këngëve patriotike dhe manifestimeve festive, një mënyrë tjetër për ta përjetuar këtë ditë është rikthimi te kinematografia shqiptare.

Me interpretime të paharrueshme, kolonë zanore emocionuese dhe skenarë të frymëzuar nga historia kombëtare, këta filma kanë edukuar e emocionuar breza të tërë shqiptarësh.

Me rastin e 28 Nëntorit, Telegrafi sjell një përzgjedhje prej gjashtë veprash kinematografike që meritojnë të (ri)shikohen në këtë ditë të veçantë.

“Nëntori i dytë” (1982)

– YouTube youtu.be

Nëse ekziston një film që identifikohet natyrshëm me festën e 28 Nëntorit, ai është padyshim “Nëntori i dytë”.

Me regji të Viktor Gjikës dhe skenar të Dhimitër Shuteriqit e Kiço Blushit, filmi pasqyron rrugëtimin e Ismail Qemalit dhe atdhetarëve shqiptarë drejt Vlorës, ku më 28 nëntor 1912 do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë.

Sandër Prosi në rolin e Ismail Qemalit, Bujar Lako në atë të Luigj Gurakuqit dhe Reshat Arbana në rolin e Isa Boletinit krijuan disa prej interpretimeve më të paharrueshme të kinematografisë shqiptare.

Filmi pati premierën më 27 nëntor 1982 në Vlorë, në prag të 70-vjetorit të Pavarësisë. Muzika e kompozuar nga Kujtim Laro i jep veprës një dimension të veçantë emocional, duke e bërë atë një prej filmave më përfaqësues të historisë kombëtare.

Për shumë shqiptarë, pamjet e ngritjes së flamurit në këtë film janë bërë pjesë e pandashme e mënyrës se si e përfytyrojnë ngjarjen historike të vitit 1912.

Regjia: Viktor Gjika
Skenari: Dhimitër Shuteriqi dhe Kiço Blushi
Muzika: Kujtim Laro
Në role: Sandër Prosi, Bujar Lako, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, Guljelm Radoja dhe Viktor Zhusti.

“Udha e shkronjave” (1978)

– YouTube youtu.be

Jo çdo betejë për identitetin kombëtar është zhvilluar me armë. Disa prej tyre janë zhvilluar me libra, dije dhe shkronja.

Me regji të Vladimir Priftit, “Udha e shkronjave” është një prej veprave më të ndjera të kinematografisë televizive shqiptare, e frymëzuar nga tregimi “Buka dhe thika” i Dhimitër Shuteriqit.

Në qendër të historisë është Dhaskal Todri, një atdhetar që përpiqet të sjellë në vend shkronjat e tunxhit për botimin e librave në gjuhën shqipe. Rrugëtimi i tij shndërrohet në një histori sakrifice, përkushtimi dhe qëndrese përballë pengesave që i dalin përpara.

Interpretimet e Sandër Prosit, Ndrek Lucës dhe Bujar Lakos, të shoqëruara nga muzika e Kujtim Laros, i japin filmit një atmosferë të veçantë dramatike.

“Udha e shkronjave” mbetet një kujtesë se ruajtja e gjuhës shqipe dhe përhapja e dijes kanë qenë ndër themelet më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar.

Regjia: Vladimir Prifti
Skenari: Peçi Dado dhe Vladimir Prifti, bazuar në tregimin e Dhimitër Shuteriqit
Muzika: Kujtim Laro
Në role: Sandër Prosi, Ndrek Luca, Bujar Lako, Muhamet Sheri dhe Agim Qirjaqi.

“Skënderbeu, luftëtari i madh i Shqipërisë” (1953)

– YouTube youtu.be

Një nga produksionet më ambicioze të lidhura me historinë shqiptare, filmi “Skënderbeu” sjell në ekran figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit.

Realizuar si bashkëprodhim shqiptaro-sovjetik, me regji të Sergej Jutkeviçit dhe skenar të Mikhail Papavës, filmi pasqyron përpjekjet e Skënderbeut për bashkimin e princërve shqiptarë dhe organizimin e qëndresës kundër Perandorisë Osmane.

Roli kryesor interpretohet nga aktori gjeorgjian Akaki Khorava, ndërsa pjesë e kastit janë edhe emra të rëndësishëm të artit shqiptar, si Besa Imami, Naim Frashëri, Marie Logoreci dhe Kadri Roshi.

Me skenografi monumentale, kostume historike dhe skena epike, filmi përfaqëson një moment të rëndësishëm në zhvillimin e kinematografisë shqiptare.

Veçanërisht domethënës është fakti se premiera e tij u mbajt pikërisht më 28 nëntor 1953, në Tiranë dhe Moskë.

Regjia: Sergej Jutkeviç
Skenari: Mikhail Papava
Teksti: Llazar Siliqi
Muzika: Georgi Sviridov dhe Çesk Zadeja
Në role: Akaki Khorava, Besa Imami, Naim Frashëri, Marie Logoreci dhe Kadri Roshi.

“Liri a vdekje” (1979)

– YouTube youtu.be

I njohur edhe me titullin “Ja vdekje, ja liri”, ky film na rikthen në vitet e përpjekjeve që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Me regji të Ibrahim Muçajt dhe Kristaq Mitros, sipas skenarit të Vath Koreshit, vepra trajton veprimtarinë patriotike të Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos dhe bashkëluftëtarëve të tyre.

Në qendër të filmit qëndron rezistenca shqiptare kundër sundimit osman, ndërsa qëndresa e Mashkullorës përbën një prej momenteve më të rëndësishme të rrëfimit.

Përmes personazheve të tij, filmi ndërthur luftën për liri me përpjekjet për përhapjen e gjuhës shqipe, duke dëshmuar se çështja kombëtare nuk ishte vetëm një përballje ushtarake, por edhe kulturore.

Interpretimet e Timo Fllokos, Gjergj Lalës dhe Kadri Roshit i japin kësaj drame historike një peshë të veçantë artistike.

Regjia: Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro
Skenari: Vath Koreshi
Muzika: Kujtim Laro
Në role: Timo Flloko, Gjergj Lala, Nikolla Llambro, Kadri Roshi dhe Reshat Arbana.

“Mësonjëtorja” (1979)

– YouTube youtu.be

Mes filmave që trajtojnë historinë e shqiptarëve, “Mësonjëtorja” zë një vend të veçantë për mënyrën se si e paraqet kontributin e gruas në arsimimin dhe emancipimin e shoqërisë.

Me regji të Muharrem Fejzos dhe skenar të shkrimtares Natasha Lako, filmi rrëfen historinë e Dafinës, një gruaje të shkolluar që përballet me paragjykime dhe kundërshtime gjatë përpjekjeve për të hapur një shkollë për vajzat.

Roza Anagnosti, në rolin kryesor, sjell portretin e një gruaje të vendosur, për të cilën dija dhe arsimi përbëjnë një rrugë drejt lirisë.

Për interpretimin e saj, aktorja u nderua me kupën e Festivalit të IV të Filmit Artistik Shqiptar në vitin 1981.

Edhe pse i realizuar dekada më parë, filmi mbetet aktual për mesazhin e tij mbi të drejtën për arsimim, barazinë dhe rolin e dijes në zhvillimin e një kombi.

Regjia: Muharrem Fejzo
Skenari: Natasha Lako
Muzika: Limoz Dizdari
Në role: Roza Anagnosti, Guljelm Radoja, Robert Ndrenika dhe Ardian Cerga.

“Gjeneral Gramafoni” (1978)

– YouTube youtu.be

Ndryshe nga filmat që përqendrohen drejtpërdrejt te betejat historike, “Gjeneral Gramafoni” e trajton qëndresën kombëtare përmes muzikës dhe identitetit kulturor.

Me regji të Viktor Gjikës dhe skenar të Vath Koreshit, filmi zhvillohet në Shqipërinë e viteve ’30, në prag të pushtimit fashist italian.

Në qendër të historisë është Halit Berati, një klarinetist i talentuar, i cili përballet me përpjekjet për ta vënë muzikën tradicionale shqiptare në shërbim të interesave të huaja.

Bujar Lako sjell një interpretim të fuqishëm të artistit që përballet me dilemën ndërmjet interesit personal dhe besnikërisë ndaj kulturës së tij.

Filmi u shpall më i miri në Festivalin e III të Filmit Shqiptar në vitin 1979 dhe vazhdon të vlerësohet për simbolikën, gjuhën kinematografike dhe muzikën e kompozitorit Aleksandër Peçi.

“Gjeneral Gramafoni” dëshmon se identiteti i një populli nuk mbrohet vetëm në fushëbetejë, por edhe përmes artit dhe kulturës.

Regjia: Viktor Gjika
Skenari: Vath Koreshi
Muzika: Aleksandër Peçi
Në role: Bujar Lako, Guljelm Radoja, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka dhe Tinka Kurti.

Të realizuar në periudha të ndryshme dhe me qasje të ndryshme artistike, këta filma kanë një emërues të përbashkët: rrëfimin e përpjekjeve për të ruajtur identitetin, gjuhën, kulturën dhe lirinë.

Ndonëse shumica e tyre janë realizuar në periudhën e regjimit komunist në Shqipëri dhe mbartin gjurmët e kontekstit ideologjik të kohës, ato mbeten dokumente të rëndësishme të historisë së artit dhe kinematografisë shqiptare.

Në një epokë kur ekranet tona dominohen nga produksionet ndërkombëtare dhe platformat e transmetimit, 28 Nëntori është një rast i mirë për t’u rikthyer edhe te veprat që tregojnë historitë tona.

Sepse, përveçse në libra dhe dokumente historike, kujtesa e një kombi jeton edhe në filmat e tij.

Gëzuar 28 Nëntorin, shqiptarë!

/Telegrafi/

Trending

Exit mobile version