Connect with us

Sport

Meta vlerëson sportistet shqiptare të qitjes! – Bota Sot

Published

on

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremoni solemne, disa nga sportistet më të shquara shqiptare, të cilat me talentin dhe profesionalizmin e tyre janë dalluar në sportin e qitjes, duke arritur rezultate të larta, si dhe duke lartësuar jo vetëm emrin e Shqipërisë, por edhe atë të femrës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Presidenti Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh”:

Zonjën Elisabeta Karabolli: “Për profesionalizmin dhe rezultatet e larta cilësore në sportin e qitjes; Shumë e suksesshme dhe me rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”;

Zonjën Diana Mata: “Për rezultatet e shkëlqyera në sportin e qitjes të arritura në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare. E dalluar për përkushtimin, pasionin dhe sukseset e spikatura si sportiste dhe trajnere”;

Zonjën Emanuela Kola: “Për kontributin e njohur si qitëse e talentuar, duke arritur rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Shembull i madh frymëzimi, për të rinjtë e të rejat e këtij sporti me traditë në vendin tonë”;

si dhe zonjën Ermira Dingu: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar në sportin e qitjes. Sportiste e talentuar, me rezultate të shkëlqyera të arritura në arenën kombëtare e ndërkombëtare”.

Ndërsa zonja Lindita Zeqo u dekorua me Titullin “Naim Frashëri”: “Për kontributin e suksesshëm në sportin e qitjes, si dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.

Në fjalën e rastit drejtuar sportisteve, familjarëve, trajnerëve dhe kolegeve të tyre, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Shumë i lumtur dhe kënaqësi e veçantë të nderoj personalitete kaq të shquara të sportit të qitjes, zonjat e nderuara Elisabeta Karabolli, Diana Mata, Emanuela Kola, Ermira Dingu e Lindita Zeqo, të cilat në një periudhë izolimi dhe mjaft të vështirë të Shqipërisë, falë rezultateve të larta dhe arritjeve të jashtëzakonshme, e ngritën Flamurin Kombëtar mbi flamujt e tjerë në Kampionatet Europiane, duke u shndërruar në burim të përhershëm krenarie kombëtare dhe zgjimi vetëbesimi, për të qenë të parët, jo vetëm në sport, por në të gjitha fushat e jetës.

Sporti i qitjes është një nga sportet më elitare, që i ka dhuruar vendit tonë, si rrallë sporte të tjera, një numër të jashtëzakonshëm medaljesh në arenën ndërkombëtare.

Ky sport i ka dhënë vendit tonë 4 kampionë Europe, duke filluar që nga viti 1979 me Elisabeta Karabollin në Frankfurt të Gjermanisë, duke vazhduar me Ermira Dingun në vitin 1980 në Madrid të Spanjës.

Më pas, suksesi i Emanuela Kolës me të rejat në vitin 1983 dhe së fundi, Kampionia e Europës, Lindita Kodra në Granada të Spanjës në vitin 2007, për të mos përmendur dhjetëra kampionë Ballkani, si dhe titullin kampion në Lojërat Mesdhetare në Latakia në vitin 1987.

Dhe nga familja e qitësve Mata, vjen radha e Diana Matës, një nga sportistet simbol të qitjes shqiptare, me medalje pa fund në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare, aq sa nuk maten me numra, por duhet të maten me kilogram, shumë pranë rekordit botëror. Por ai fishek i 25-të, i dalë nga pistoleta e Diana Matës, nuk u bind të shkonte dhe ai, në të njëjtin vend si 29 të tjerët, te 10-.

Numri në tabelë simbolizon qitjen, sportin e shpirtit, sportin që nuk njeh moshë.

Ai simbolizon sportistët e dashuruar me këtë numër, që e bënë qitjen shqiptare, një sport elitar dekada më parë, një sport që na nderonte në çdo aktivitet ndërkombëtar.

Sporti i qitjes ka qenë e vazhdon të mbetet një nga krenaritë më të mëdha dhe më të larta të sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Madje, në Lojërat Olimpike të Munihut në vitin 1972, në të cilat Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë, në ekipin shqiptar bënte pjesë edhe Afërdita Tushe, qitësja e paharruar, që u nda nga jeta para pak kohësh, e cila sa për kuriozitet ka garuar e triumfuar me qitësit meshkuj.

Të nderuara sportiste,

Jemi shumë krenarë dhe të lumtur me sportiste si ju, për rezultatet tuaja të ndritura, për meritat dhe vlerat tuaja morale, sportive dhe qytetare, për fisnikërinë tuaj.

Jeta juaj sportive është një shembull frymëzimi për historinë e sportit tonë. Është një mesazh mbi të gjitha i fuqishëm për brezat e ardhshëm.

Me punën dhe rezultatet tuaja të jashtëzakonshme, ju keni kontribuar në rritjen e imazhit të vajzës dhe të gruas shqiptare, duke e çuar atë në podiumet më të rëndësishme të sportit botëror.

Me këtë rast, ju uroj të vazhdoni të kontribuoni duke dhënë eksperiencën tuaj të suksesshme, në dobi të qitjes shqiptare, por dhe të dashurisë të të rinjve dhe fëmijëve për sportin.

Gjithmonë është thënë se shqiptari e ka traditë pushkën, por në atë kohë të mirë apo të keqe, rezultatet e larta nuk kanë qenë kurrë një rastësi.

Një urim nga zemra u dërgoj gjithë sportistëve e sportisteve, që vazhdojnë traditën tuaj edhe pse në një periudhë të vështirë për këtë sport, e sidomos trajnerëve dhe të gjithë drejtuesve të Federatës së Qitjes”.

Alsat