Connect with us

Maqedoni

Maqedonia synon të vaksinojë rreth 70 për qind të popullatës kundër Covid-19 – Alsat

Published

on

Deri në 70% të popullsisë në vend pritet të marrin vaksinën kundër CoVid-19 gjatë vitit të ardhshëm. Autoritetet shëndetësore njoftojnë se kanë siguruar doza të mjaftueshme të këtij lloji të vaksinës aq sa është e nevojshme të arrihet imuniteti kolektiv ndaj virusit korona. Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se vaksina është e sigurt dhe se qytetarët nuk kanë nevojë të bien pre e dezinformatave.

Vaksinat janë zhvilluar në përputhje me protokollet dhe procedurat e sigurisë që kompanitë e vaksinave kanë përdorur për vite me radhë. Nuk ka vend për asnjë fije dyshimi për këtë. Falë vaksinave, shumë sëmundje të tilla si shytat, poliomieliti dhe fruthi janë çrrënjosur në botë”-thonë nga Ministria e Shëndetësisë

Por, dozat e para të vaksinës anti-kovid pritet të vijnë tek në muajin mars të vitit 2021. Javës që shkoi Qeveria kreu pagesën e mbi 800 mijë dozave, që do të sigurohen përmes metodës Covax. Frigoriferët  -70°C do të arrijnë gjatë janarit si donacion nga një Fondacion Amerikan. Do të angazhohen edhe operatorët privat që shpërndajnë vaksinat në vend, thonë nga Komiteti për imunizim.

Për zbatimin e vaksinimit anti-kovid do të shfrytëzohen qendrat e deritanishme të Shtëpive të shëndetit ku praktikohen edhe vaksinat kundër gripit sezonal si dhe spitalet e qyteteve. Prioritet do të kenë personeli mjekësor, kategoritë e rrezikuara shëndetësore, të moshuarit dhe fëmijët”-thonë nga Komiteti për Imunizim.

Përderisa tri kompanitë farmaceutike “Oxford & AstraZeneca”, “Pfizer & BioNtech” dhe “Moderna” kanë filluar prodhimin dhe distribuimin e tri llojeve të vaksinave anti-kovid. Deri në fund të dhjetorit pritet që edhe vendet anëtare të BE-së të fillojnë me vaksinim, pas vendimmarrjes për një zbatim të tillë. Autoritetet vendore bëjnë thirrje që ti përmbahen rekomandimeve shëndetësore, si: maska, distancë, dezinfektues, edhe në këtë fazë të parafundit të pandemisë, deri në arritjen e vaksinës.

Adnan Qaili