“J’comprends pas”, e publikuar 11 vjet më parë nga grupi francez i repit PNL, është kthyer në një prej këngëve më të përdorura në videot e protestave të të rinjve në Shqipëri. Fenomeni ka tërhequr vëmendjen e mediave franceze.
Një këngë franceze e publikuar më shumë se një dekadë më parë po shoqëron protestat e të rinjve shqiptarë.
Bëhet fjalë për “J’comprends pas” të grupit të njohur të repit PNL, e cila është shndërruar në kolonë zanore të shumë videove të shpërndara në rrjetet sociale nga protestat në Shqipëri.
Fenomeni është vënë në pah nga mediat franceze, përfshirë “Radio France” dhe “La Dépêche du Midi”, kjo e fundit duke i kushtuar një artikull të veçantë mënyrës se si kënga është bërë pjesë e mobilizimit të të rinjve shqiptarë.
Sipas raportimit të La Dépêche du Midi, protestat në Shqipëri kanë nisur që nga maji i vitit 2026, me mijëra qytetarë që kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Fillimisht, pakënaqësia ishte e lidhur me projektet e ndërtimit të komplekseve luksoze në hapësira natyrore të mbrojtura, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, me kalimin e kohës, kërkesat e protestuesve janë zgjeruar, duke përfshirë kundërshtimin ndaj korrupsionit, rritjes së pabarazisë dhe përkeqësimit të shërbimeve publike.
Në këtë atmosferë pakënaqësie, kënga e PNL-së është bërë një element i përsëritur në videot që dokumentojnë protestat dhe shpërndahen në platformat sociale.
E publikuar në vitin 2015, “J’comprends pas” ka grumbulluar rreth 252 milionë dëgjime në Spotify, duke u renditur ndër këngët më të dëgjuara të grupit francez.
Por çfarë e lidh këtë këngë me protestat shqiptare?
Titulli i saj, që në shqip përkthehet “Nuk kuptoj”, duket se përkon me ndjenjën e zhgënjimit dhe të moskuptimit që shprehin të rinjtë përballë problemeve shoqërore dhe politike.
Duke iu referuar platformës Rapedia, “La Dépêche du Midi” thekson se kënga trajton ndjesinë e të qenit i keqkuptuar, kërkimin e identitetit dhe sfidat me të cilat përballet shoqëria, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse të rinjtë shqiptarë i kuptojnë plotësisht vargjet në gjuhën frënge apo nëse zgjedhja e tyre lidhet më shumë me ritmin dhe atmosferën që përcjell kënga.
Pavarësisht kësaj, një këngë e publikuar 11 vjet më parë ka kaluar kufijtë gjuhësorë dhe është bërë pjesë e imazhit të protestave shqiptare, duke tërhequr vëmendjen edhe përtej kufijve të vendit./Telegrafi/