Connect with us

Showbiz

Hajdutët hyjnë dhe vjedhin në shtëpinë luksoze të Cristiano Ronaldos në Madeira

Published

on

Policia thuhet se po heton një vjedhje në shtëpinë e Cristiano Ronaldos në Madeira.

Hajduti thuhet se kishte hyrë në pronën e rinovuar në vlerë shtatë milionë funte në ishullin Funchal përmes një dere të hapur garazhi ndërsa futbollisti ishte larg me ekipin kombëtar të Portugalisë, shkruan DailyMail.

Një i afërm i Ronaldos ngriti alarmin të mërkurën në mëngjes, sipas gazetës së respektuar të ishullit “Diario de Noticias Madeira”. Të mërkurën në mbrëmje, Ronaldo u paraqit në një ndeshje kundër Spanjës.

Gazeta lokale raportoi se hajduti e shfrytëzoi rastin të hynte nëpër garazh kur u hap nga një punëtor mirëmbajtjeje.

Një fanellë e nënshkruar e Juventusit, me vlerë rreth 180 funte, thuhet se ka qenë në mesin e sendeve të vjedhura së bashku me pasuritë e tjera të vogla.

Policia tashmë kuptohet se ka vizituar pronën dhe thuhet se ka identifikuar hajdutin, i përshkruar si dikush që tashmë është i njohur për ta, nga kamerat CCTV. Asnjë arrestim nuk është bërë ende.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse nëna e Ronaldos, Dolores apo vëllai i tij i madh Hugo, të cilët të dy jetojnë në shtëpinë me shtatë kate, ishin brenda pronës në atë kohë.

Ndërkohë, partnerja e tij, Georgina Rodriguez ishte larg në Javën e Modës në Paris.

Sulmuesi i Juventusit, Ronaldo kaloi pjesën e parë të izolimit të coronavirusit në fillim të këtij viti duke qëndruar në dy katet e fundit të shtëpisë me partneren e tij Georgina Rodriguez dhe fëmijët e tij pasi kampionati i ‘Serie A’ u pezullua.

Babai i katër fëmijëve bleu ndërtesën në vitin 2015 nga projektuesi lokal Nini Andrade Silva për një shumë të pazbuluar dhe u nis për të bërë rinovimin e saj në pronën e tij të ëndrrave.

Kur renovimi përfundoi në vitin 2019, Ronaldo u transferua me nënën e tij dhe vëllain Hugo, i cili gjithashtu menaxhon muzeun CR7 të Ronaldos pranë. Futbollisti zotëron gjithashtu një hotel luksoz aty pranë me 48 dhoma, të quajtur “Pestana CR7”.

Prona ka katër kate mbi tokë, në dy të parat prej të cilave jetojnë Ronaldo dhe e dashura e tij, së bashku me fëmijët e tij.

Nuk dihet saktësisht se sa dhoma gjumi dhe banjo ka prona, por ka dy pishina – një në çati – si dhe dy palestra dhe një fushë të vogël futbolli që Ronaldo përdor për t’u stërvitur ndërsa është në shtëpi.

Garazhi nëntokësor, përmes të cilit hajduti thuhet se fitoi hyrjen në rezidencë, mund të strehojë deri në pesë vetura.

Pasi u zhvendosën në pronë drejt fillimit të pandemisë së coronavirusit, Ronaldo dhe e dashura e tij më vonë u zhvendosën në një vilë me një kopsht rreth gjysmë ore larg veturës përpara se të fluturonin përsëri në Itali.

Ish-ylli i Manchester United dhe Real Madridit luajti në barazimin e mbrëmshëm 0-0 midis Portugalisë dhe Spanjës.

Rezidenca e Ronaldos është afër rrënjëve të tij. Ai ka lindur në Funchal në vitin 1985 dhe shpesh kalon kohë në Madeira kur nuk është duke kryer stërvitjet me Juventusin në Itali. /Telegrafi/