Connect with us

Maqedoni

“Goce Dellçev”, Zaev i përmbajtur ndaj kërkesave të Sofjes

Published

on


Kryeministri, Zoran Zaev i përmbajtur ndaj kërkesave të Sofjes për zgjidhje të çështjes së Goce Dellçevit dhe gjuhës maqedonase. Thotë se çështjet e identitetit janë konfirmuar me marrëveshjen dypalëshe të vitit 2017, por se dallimet e mbetura duhet tejkaluar patjetër.

Jemi të fokusuar për zgjidhje të shpejtë të kësaj çështjeje. Gjithsesi se garanci për konfirmimin e çështjeve të identitetit është Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, gjuhën dhe popullin maqedonas. Besoj se të gjitha dokumentet dhe deklaratat që dalin janë vetëm dëshirë për zgjidhje të këtij kapitulli të katërt të historisë ose figurës së gjashtë historike, që mund të jetë mundësi për ta rritur miqësinë. Do të jemi të kujdesshëm me komentet, sepse e dimë se duhet të arrijmë zgjidhje dobiprurëse për dy palët – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Për qëndrimet e fundit të Sofjes, VMRO DPMNE-ja e fajëson kryeministrin Zaev.

Diplomacia e paaftë e “Përkuljes” së Zoran Zaevit është fenomen i njohur dhe sjellë këtë tip rezultati, sillen sepse nga pala maqedonase nuk ekziston konsenzus kombëtar lidhur me çështjet themelore identitare. Dihet se vëllezërit e shenjtë, Kirili dhe Metodi janë edukatorë sllavë, për dekada i shënon e gjithë bota, që falë tyre kanë shkrim-leximin. Nga ana jonë nuk shohim hapësirë për diskutim -deklaroi Stefan Andonovski, VMRO DPMNE.

Parlamenti bullgar dje i dha dritë jeshile propozimit për riemërim të festës së 24 Majit në “Dita e literaturës, arsimit dhe kulturës bullgare”, me të cilën Kirilin e Metodin dhe alfabetin cirilik i konsideron bullgar. Kryediplomatja bullgare, Zaharieva tha se Shkupi e Sofja duhet të gjejnë zgjidhje si për Goce Dellçevin ashtu edhe për gjuhën. Theksoi se kriteret për fqinjësi të mirë do të jenë pjesë e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut.

Qëndrojmë garancë absolute që kriteret anëtarësuese për fqinjësi të mirë të jenë pjesë e kornizës negociuese. Nuk është në pyetje vetëm Goce Dellçevi. Ka kontakt mes dy komisioneve, por dyshoj se do të kenë takim deri në fund të nëntorit. Ky proces i gjatë duhet të vëzhgohet përmes zbatimit të marrëveshjes, këtu ka shumë çështje si: gjuha, historia e përbashkët. Pretendimet se Bullgaria tenton ta ndryshojë realitetin nuk janë të vërteta – deklaroi Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Komisionet e ngritura nga të dyja vendet kanë paralajmëruar takim gjatë këtij muaji në Shkup, në të cilin pritet të diskutohet edhe për çështjet e hapura së fundmi.

Anesa Salihu