Connect with us

Sport

Filozofia e artit luftarak! – Bota Sot

Published

on

Filozofia e artit luftarak, përkufizohet si disiplinë e veçantë e studimit të etikës së artit dhe aktiviteteve metodologjike, prandaj synon shpjegimin analitik të mendjes, për të arritur zotërimin e trupit dhe të shpirtit të secilit që mishërohet me këto arte.

Disa stile të artit luftarak pretendojnë në pasqyrimin e filozofisë së tyre, si pjesë e stilit të vet, apo edhe si pjesë e mënyrës së ushtrimeve të tyre. Pavarësisht kësaj, secili stil i artit luftarak në vete ka një filozofi të integruar dhe njerëzit që studiojnë atë stil të artit luftarak do të mishërohen me atë etikë filozofike që do të udhëzojë jetën e tyre në çdo kohë.

Filozofia e artit luftarak mund të zbërthehet edhe si pasion i ndjekur me diciplinë, e them këtë çdo herë duke u bazuar në fjalën “art” që në filozofi definohet si veprimtari e krijimit të gjërave të bukura dhe fjalës luftë (e që lufta është një shkencë në vete), që në filozofi shkenca, definohet si një aktivitet metodologjik, diciplinë apo studim, prandaj artet luftarake janë diciplina të ndjekura me pasion, apo përcellje e shtigjeve të vetëdijes nëpërmes shprehjeve të bukurisë.

Kështu që, çdo student i arteve luftarake, në të ardhmen do të jetë një filozof i vërtetë i parimeve etike dhe një shkencëtar i fortë i lëvizjeve metodologjike në natyrë.

Filozofia e artit luftarak kërkon nga studentët e saj arritjen e vlerave të harmonishme, për urtësi, moral, dashuri dhe vetëdiciplinë me mjete paqësore, prandaj artet luftarake mund të vërtetohet se janë shumë më shumë se vetëm një stërvitje e zakonshme, prandaj kjo përvojë apo kjo praktikë e ndryshon mënyrën e jetës, shpirtërisht dhe fizikisht.

Në filozofinë e arteve luftarake, si qëllim kryesor i praktikimit të këtyre arteve është kultivimi i shëndosh i mendjes, trupit dhe shpirtit të studentëve me diciplinën dhe vetëkontrollin e emocioneve gjatë gjithë jetës, kurse çelësi i gjithë kësaj është durimi.

Aftësia e vetëkontrollit të emocioneve në situata të ndryshme forcon me të madhe vetëbesimin si gjykim të mirë, për menaxhimin e stilit të jetës me një qëndrim të drejtë e pozitiv, për të arritur deri te një ekui libër stabil dhe të qëndrueshëm, çdo herë duke zbërthyer tri parimet bazë të filozofisë së arteve luftarake: Trupit, Mendjes dhe Shpirtit.

Trupi i fortë zhvillohet nëpërmes ushtrimeve të drejta fizike, të rregullta dhe shumë të disiplinuara, në këtë mënyrë aftësohet rritja e kondicionit, durimit, qëndrushmërisë, forcës,fleksibilitetit dhe ekuilibrit.

Këtë e ndihmon edhe ushqimi i rregullt, pushimi i rregullt dhe argëtimi me orar të caktuar.

Prandaj me të drejtë mund të themi se aplikimi i diciplinës dhe regjimi i teknikave të arteve luftarake determinon përmirësimin e të gjitha aftësive fizike dhe rrjedhshmërisë së lëvizjes së drejtë.

Mendja e shëndoshë, në artet luftarake, bazohet në zhvillimin dhe fokusimin e mendjes për të koordinuar çlodhjen, përqëndrimin dhe lëvizjet, e kjo bëhet duke lexuar apo studiuar për çdo gjë që rrethon natyrën.

Të gjithë ata që duan të merren me artet luftarake nuk duhet të kufizohen dhe të mësojnë vetëm teknikat nga artet luftarake, por patjeter duhet të mësojnë për historinë,filozofinë, ligjin, shkencën, mjekësinë dhe natyrën në përgjithësi që të kuptojnë më drejtë filozofinë e arteve luftarake.

Sjellja e tyre, kultura në shoqëri, në shkollë, në fakultet, në punë pasqyron fisnikërimin e mendjes dhe shpirtit që është si alfa e omega e arteve luftarake.

Shpirti i mirë afron qetësinë e përmirësimit personal,kështu që për çdo student të arteve luftarake për të arritur deri tek ai qëllim, duhet përcjellur mendjen e shëndoshë dhe trupin e fortë.

Praktikimi i arteve luftarake rrit besimin e shpirtit mbi natyrën dhe sjelljen në natyrë dhe përshkon shpirtin me një diciplinë të admiruar nga të tjerët, duke përshëndetur të tjerët, duke u përkulur me respekt para më të vjetërve, duke liruar rrugën të tjerëve dhe duke reaguar vendosmërisht kundrejt padrejtësive në momentet e caktuara.

Autori është trajner i KK Kastriotit nga Ferizaj 

Alsat