Connect with us

Maqedoni

Filipçe propozon që Kuvendi të punojë “online”, opozita kundërshton

Published

on


Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe edhe një herë u kërkon deputetëve të shqyrtojnë mundësinë e punës së Kuvendit “online”, gjë që sipas tij është e realizueshme.

“Assesi platforma nuk duhet të kuptohet si tentim për të komprometuar çfarëdo kapaciteti parlamentar, qoftë demokratik, qoftë funksional. Sinqerisht mendoj se shërbimet duhet të konfirmojnë edhe nga aspekti ligjvënës si dhe ai teknik nëse kjo mund të realizohet por unë mendoj se mundet. Por, po ashtu mendoj se të gjithë janë të vetëdijshëm që në periudhën që vjen, prioritet do të jetë mbrojtja e shëndetit”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

VMRO-DPMNE-ja nuk pranon assesi zhvillimin e seancave të Kuvendit tërësisht “online”.

“Nuk ka asnjëfarë pengese që Kuvendi të vazhdojë të funksionojë normalisht sepse shumica e deputetëve të nevojshëm për vendimmarrje në Kuvend, sipas të gjitha formave të nevojshme të shumicës për miratimin e vendimeve, është operative dhe në qasje”, deklaroi Dafina Stojanoska, VMRO-DPMNE.

Por, për dallim prej një ditë më parë, kjo parti tani është e gatshme të diskutojë për mundësinë që deputetët të cilët kanë vendim për izolim, të mund të votojnë nga shtëpia.

“Nëse ulemi të bisedojmë, ndoshta kjo mund të shqyrtohet”, tha Dafina Stojanoska, VMRO-DPMNE.

Një ditë më parë shumica parlamentare kishte kërkuar që deputetëve të cilët janë të infektuar me virus dhe kanë vendim për izolim të mund të votojnë nga shtëpia. Në të kundërt, rrezikohet shumica. Deri tani vendim për izolim për shkak se kanë rezultuar pozitiv kanë dy deputetë të shumicës parlamentare dhe një deputete e opozitës.

Fatlume Dervishi