Connect with us

Sport

E shtuna në Supersport/ Everton pret Man. United, Barça synon rikthimin te fitorja

Published

on

Pas 4 fitoreve radhazi në kampionat, Evertoni i Carlo Ancelottit nuk e njeh suksesin që prej 3 tetorit, kur triumfonte 4-2 ndaj Brighton, ndërsa më pas ka regjistruar një barazim me Liverpoolin e dy humbje radhazi, të cilat e zbritën nga vendi i parë në të pestë.

Mesditën e sotme “Toffees” do të presin në “Goodison Park” një tjetër skuadër në krizë, Manchester United, që ka marrë vetëm 7 pikë në 6 ndeshjet e para dhe në “Old Trafford” po mendojnë seriozisht largimin e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer.

Sfida e sotme ndaj Everton do të jetë vendimtare për të ardhmen e norvegjezit, ndërsa të dy skuadrat do të synojnë fitoren për t’u rikthyer te rezultatet pozitive dhe për të mos komplikuar sezonin, ndonëse jemi ende në javët e para të tij.

Pasditen e sotme do të zbresë në fushë edhe Chelsea, që do të presë në “Stamford Bridge” skuadrën e Sheffield United. Londinezët vijnë pas suksesit ndaj Burnley-t dhe sot do të synojnë një tjetër fitore, për t’u ngjitur në pjesën e sipërme të renditjes dhe për të rikuperuar pikët e lëna rrugës në javët e para.

Në kampionatin spanjoll, sot do të zbresë në fushë Barcelona, që do të presë në “Camp Nou” skuadrën andaluziane të Betisit. Katalanët e Ronald Koeman kanë 4 javë pa fitore, gjatë të cilave kanë fituar dy dhe kanë barazuar dy të tjera, ndaj edhe kanë zbritur në vendin e 12 të renditjes.

Fitorja e sotme ndaj andaluzianëve të Betis është një detyrim për Lionel Messin me shokë, pasi çdo rezultat tjetër do t’i largonte edhe më shumë me kreun e renditjes dhe do të komplikonte ecurinë e sezonit të katalanëve.

Po nga kampionati spanjoll sot do të luhet edhe përballjet Sevilla-Osasuna në orën 18:00 dhe Atletico Madrid Cadiz në orën 21:00, të cilat do të transmetohen gjithashtu në ekranin e Supersport.

Kampionati italian do të vijë sot me tre ndeshje të tjera të javës së shtatë, teksa gjithçka do të startojë në orën 15:00 me sfidën mes Cagliarit e Sampdorias në Sardegna, një përballje mjaft interesante, mes dy skuadrave që synojnë gjysmën e sipërme të renditjes.

Në orën 18:00 vëmendja do të spostohet te përballja e dy skuadrave të ngjitura rishtazi në Serinë A, Benevento dhe Spezia. Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi ka grumbulluar 6 pikë në 6 javët e para dhe Spezia 5, ndërsa vlen të theksohet se sot mund të vijë edhe debutimi zyrtar i Ardian Ismajlit në formacione me këta të fundit.

Në mbrëmje do të luhet përballja mes Parmës dhe Fiorentinës, një sfidë mjaft e rëndësishme për skuadrën vjollcë dhe kryesisht për të ardhmen e trajnerit të saj Giuseppe Iachini. Fiorentina ka grumbulluar vetë, 7 pikë në 6 javët e para dhe një rezultat negativ sot në transfertën emiliane do të bindte presidentin Commisso të bënte ndryshime në pankinë.

Alsat