Connect with us

Business

Biden prezanton planin 6 trilionë dollarësh për shpenzime

Published

on

Presidenti amerikan Joe Biden ka publikuar planin e tij të parë për shpenzime vjetore në vlerë të 6 trilionë dollarëve, që përfshin rritje të taksave për amerikanët e pasur.

– Advertisements –

Në këtë propozim përfshihen edhe programet e reja sociale dhe investimet për luftim të ndryshimeve klimatike.

Megjithatë, për t’u zbatuar, plani duhet të miratohet nga Kongresi, ku senatori republikan Lindsey Graham e ka konsideruar “çmendurisht të shtrenjtë”.

Sipas planit, borxhi do të arrijë në 117 për qind të bruto prodhimit të brendshëm deri më 2031, duke tejkaluar kështu nivelet e Luftës së Dytë Botërore.

Ajo situatë do të krijohej pavarësisht të paktën 3 trilionë dollarëve të propozuar për rritje të taksave për korporata.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, republikan, po ashtu ka rritur deficitin çdo vit sa ka qenë në zyrë, dhe plani përfundimtar i shpenzimeve vjetore pati arritur në 4.8 trilionë dollarë.

Në buxhetin e Bidenit përfshihen 1.5 trilion dollarë amerikanë për shpenzime operative për Pentagonin dhe departamente tjera qeveritare.

Aty përfshihen edhe dy plane tjera: njëri 2.3 trilionë dollarë për vende të punës dhe tjetri 1.8 miliard dollarë për familje.

Biden, demokrat, ka thënë se buxheti i tij “investon në mënyrë të drejtpërdrejtë për popullin amerikan dhe do të fuqizojë ekonominë e kombit, por edhe do të rrisë gjendjen fiskale për kohë të gjatë”.

Çfarë ka në plan?

Shtëpia e Bardhë ka thënë se propozimi do të ndihmojë në rritje të ekonomisë nga të gjitha nivelet.

Në buxhet janë përfshirë:

-Më shumë se 800 miliardë dollarë për luftim të ndryshimeve klimatike, përfshirë investime në energji të pastër,
200 miliardë dollarë për të ofruar regjistrim falas në institucione parashkollore për fëmijët e moshës 3-4 vjeç,

-109 miliardë dollarë për dy vjet falas të kolegjit për të gjithë amerikanët

-225 miliardë dollarë për program të pushimit të paguar mjekësor

-115 miliardë dollarë për rrugë dhe ura si dhe 160 miliardë dollarë për hekurudha dhe transport publik

-100 miliardë dollarë për përmirësim të qasjes në internet për secilën shtëpi amerikane.

Çfarë për inflacionin dhe deficitin?

Këshilltarja për Ekonomi në Shtëpinë e Bardhë Cecelia Rouse e ka pranuar se ekonomia po përballet me rritje të inflacionit, mirëpo ka parashikuar se do të ketë ulje me normë vjetore prej rreth 2 për qind me kalimin e kohës.

Disa ekonomistë, përfshirë Larry Summers, i cili ka këshilluar ish-presidentët Barack Obama dhe Bill Clinton, kanë paralajmëruar se shpenzime kaq masive qeveritare mund të rrisin inflacionin, duke detyruar Rezervat Federale të rrisin normat e interesit, e cila nga ana tjetër do të rrisë rrezikun e një recesioni.

Propozimi i Bidenit përfshin një shtesë prej 14.5 milionë dollarëve që do t’i shtohet borxhit të SHBA-së gjatë dekadës së ardhshme.

Por Shtëpia e Bardhë vlerëson se plani do të paguhet plotësisht brenda 15 viteve pasi rritja e taksave do të shmangë deficitin.

Kritikët, megjithatë, janë skeptikë në lidhje me parashikimet pozitive të parashikuara pasi Biden të përfundojë mandatin.

Republikanët janë shprehur të alarmuar për shpenzimet rekorde.

Kreu i pakicës në Senatit Mitch McConnell e ka quajtur të premten planin një “ëndërr socialiste”.

A do të miratohet?

Kongresi ka kohë deri në fund të shtatorit të miratojë projektligjet për shpenzime. Nëse propozimet nuk miratohen, qeveria mund të mbyllet pjesërisht.

Demokratët e Bidenit kanë shumicë të thjeshtë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një ulëse më shumë në Senatin me 100 anëtarë.

Për dallim nga projektligjet tjera, masat për buxhet mund të miratohen me vetëm 51 vota, për dallim nga 60 sa kërkohen zakonisht, çka nënkupton se ai mund të kthejë në ligje disa ndryshime edhe pa përkrahjen e republikanëve.

Republikanët veçse kanë kritikuar Bidenin për shkallën e shpenzimeve – duke përfshirë paketën e ndihmës për koronavirus në vlerë të 1.9 trilionë dollarëve më herët gjatë këtij viti.

Mirëpo edhe vota e të gjithë demokratëve nuk është e sigurt.

Kjo pasi rritja e shpenzimeve për ushtri mund të rrisë hezitimin e disa pjesëtarëve të linjës progresive të partisë së tij.

Alsat