Connect with us

Bota

BE: Rregullore të reja mbi aktivitetin e gjigandëve të teknologjisë – Alsat

Published

on

Në Bruksel sapo janë prezantuar Projektligji për Shërbimet Dixhitale dhe Projektligji për Tregjet Dixhitale. Këto propozime synojnë rishikimin e të gjitha parimeve që lidhen me shërbimet dixhitale në 27 vendet anëtare, që nga postimi i materialeve të paligjshme në median sociale e deri tek shitja e produkteve përmes internetit.

– Advertisment –

Kompanitë e mëdha teknologjike nuk do të lejohen, për shembull, të pengojnë përdoruesit nga shkëputja apo heqja e aplikacioneve dhe e programeve, po ashtu nuk do të lejohen të përdorin të dhëna të bizneseve që operojnë në këto platforma për të konkurruar kundër tyre.

Për t’i zbatuar këto politika, entet e BE-së do të lejonin vënien e gjobave me vlerë deri në 10% të të ardhurave vjetore globale. Një tjetër element i planit evropian është garantimi që platformat e tregtisë përmes internetit të mbajnë më shumë përgjegjësi për produktet dhe shërbimet që tregtohen përmes tyre.

Nënpresidentja ekzekutive e Komisionit Evropian, Margrethe Vestager tha se rregulloret e reja janë mjetet e duhura për të “sjellë rregull në kaosin” ekzistues në internet dhe për të vënë nën kontroll operatorët që dominojnë tregun në internet.

“Dy propozimet kanë një qëllim: të garantojnë se përdoruesit, konsumatorët dhe bizneset kanë qasje në një larmi të gjerë produktesh dhe shërbimesh të sigurta në internet, ashtu siç ndodh në botën fizike,” tha zonja Vestager. “Qoftë kur jemi në sheshe publike, apo para ekranit të kompiuterit, ne duhet të jemi në gjendje të blejmë pa rrezik. Kur kontrollojmë në internet, duhet të jemi në gjendje të zgjedhim duke pasur besim tek ato që lexojmë. Ajo që konsiderohet e paligjshme në tregun fizik është e paligjshme edhe në shitjet në internet”.

Pas njoftimit, disa kompani e kritikuan këtë hap. Një zëdhënës për kompaninë Google tha se ky gjigand i operimeve në internet është i shqetësuar se këto akte ligjore “duket se kanë në shenjestër një numër të vogël kompanish”.

Thierry Breton, komisioner evropian për tregun e brendshëm i hodhi poshtë këto shqetësime.

“Ne i respektojmë kompanitë, por po themi se sa më të mëdha që janë, aq më shumë përgjegjësi kanë,” tha zoti Breton. “Me rëndësi për ne është që të gjithë të jenë të mirëpritur në Evropë, por ne kemi përgjegjësinë të vendosim dhe të caktojmë rregulla për të mbrojtur ato që i konsiderojmë të rëndësishme. Me këto projekt-ligje nuk duam të themi se këto kompani janë tepër të mëdha dhe duhet të shpërbëhen”.

Rregulloret e reja të njoftuara në Bruksel u bëjnë jehonë shqetësimeve në mbarë botën lidhur me ndikimin e kompanive të mëdha teknologjike. Në Shtetet e Bashkuara, entet rregullatore kanë shtuar mbikqyrjen mbi kompanitë Google dhe Facebook dhe janë ngritur edhe padi gjyqësore.