Connect with us

Maqedoni

Banorët e Strugës në protestë për ujë të pijshëm – Alsat

Published

on

Deri kur do të presim që të bjerë shi për të siguruar ujë të pijshëm, pyetën banorët e Strugës në protestën që nuk ishte masive dhe që u mbajt para ndërtesës së Ndërmarrjes Publike Ujësjellës-Kanalizime në Strugë. Me parullat, “Në një kohë pandemie, pa ujë është një tragjedi”, “Shekulli 21, ujë s’ka as për ilaç”, ata kërkuan nga autoritetet lokale të zgjidhin përfundimisht problemin e furnizimit me ujë, me të cilin Struga është përballur për shumë vite.

“Këtë javë kemi ujë gjatë gjithë ditës, deri rreth orës 15:00. Pastaj presioni është i ulët, dhe në mbrëmje nuk ka fare. Kjo ndikon drejtpërdrejtë në jetën tonë. Ne jetojmë nën stres gjatë gjithë kohës. Ky problem duhet të zgjidhet. Unë nuk di për komunën dhe autoritetet se çfarë është më e rëndësishme se sa uji.”

“Problem nuk janë vetëm kufizimet, që bëhen gjoja për shkak të mungesës së ujit. Problemi është se çdo të dytën ditë, ne nuk kemi ujë për arsye teknike, nga tubat e plasur, nga uji i ndotur.”

Nuk ka ujë as në disa nga zonat rurale. Edhe atje presin me orë të tëra, që uji të rrjedhë nga çezmat.

Disa nga qytetarët mendojnë se banorët e Strugës duhet të tregojnë mosbindje civile.

“Na duhet mosbindje, na duhen edhe protesta më masive, bllokime rrugësh, sepse ky problem nuk po zgjidhet. Gjatë pandemisë nuk mund të lani duart, nuk mund të përdorni energji elektrike të lirë pas orës 22 të mbrëmjes për bojlerë, makina. Unë jetoj në një ndërtesë në katin e pestë, dhe nuk kam ujë për vite me radhë.”

“Unë vij nga puna në shtëpi rreth orës 5 – 6 pasdite dhe menjëherë mbushim shishet me fëmijët. Kjo është gjëja e parë dhe më e rëndësishmja, sepse e dimë që nga ora 20:00 e tutje nuk do të kemi ujë. Tani duhet të presim shiun, dhe t’i lutemi Zotit që të kemi ujë”.

Protesta janë planifikuar të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim. Ata që dolën sot u bënë thirrje bashkëqytetarëve të tyre që tu bashkohen. Burimet e ujit për furnizimin me ujë të qytetit janë gjysmë boshe. Askush nga autoritetet lokale nuk erdhi t’u shpjegonte qytetarëve se si dhe kur do ta zgjidhin problemin.

Miki Trajkovski