Connect with us

Bota

Asgjë nga fabrika për verura elektrike “E-GO” – Alsat

Published

on

Gazetar: Adnan Qaili

Fabrikës për prodhimin e makinave elektrike në Tetovë tani e pesë muaj i mbeti vetëm gurë themeli. Ndonëse ishte paraparë brenda tetë javësh të nisin punimet për ndërtimin e fabrikës, që nga 13 gushti përveç lopatave të kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, ministrave, drejtorëve dhe krerëve të partive, asnjë vegël tjetër nuk u pa në parcelën “E-Go” në Zonën e Zhvillimit Teknologjik-industrial në Tetovë.

“Sot do të hidhen bazat për një investim që vetëm në fazën e parë peshon 130 milionë euro dhe që do të hapë të paktën 890 vende të reja pune”, pati deklaruar Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Në përvjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e gjithë qeveria dhe kryesia e BDI-së u mblodhën në ceremoninë e fabrikës, në të cilën shteti është partner në projekt dhe duhet të sigurojë 33% të vlerës së investimit ose rreth 45 milionë euro. Por, ata sigurojnë se ka mekanizëm mbrojtës që të mos dështojnë paratë e taksapaguesve që janë planifikuar për investim në fabrikën gjermane të automobilave elektrike.

“A ka një perspektivë ajo industri në tregun global?” Po! A është i qëndrueshëm për mjedisin? Po! A do të krijojë perspektivë të re për të rinjtë? Po!”, kishte deklaruar në korrik të vitit të kaluar, Fatmir Besimi, Ministër i Financave.

Edhe pse tri herë u shkelën afatet e nisjes, nga Drejtoria për Zonat e Zhvillimit Teknologjik-industrial  vazhdojnë të pohojnë se gjithçka po shkon sipas planit dhe se së shpejti do të fillojë ndërtimi i fabrikës. Thonë se kanë angazhuar auditorë të jashtëm për të monitoruar dinamikën e ndërtimit të kompanisë.

“Vetëm se kemi marr informacion sipas kushteve të kontratës, që është se tashmë ka nisur si një aktivitet investimi në pjesën e prokurimit të pajisjeve. Në mënyrë që pasi të marrim dokumentacionin përkatës se prokurimi tashmë është në vazhdim, se tashmë janë bërë disa pagesa për furnitorët, në përputhje me rrethanat do të ndjekim kushtet e përcaktuara në vetë kontratën. E them sërish, nuk paguajmë asgjë paraprakisht dhe monitorojmë dinamikën e realizimit”, tha Jovan Despotovski, Drejtor i Drejtorisë së TIRZ-it.

Pompoziteti i autoriteteve për sjelljen e kompanisë gjermane për makinat elektrike “E-go” po duken si fishekzjarrë në pikë të ditës, ngaqë as Ministria e Ekonomisë nuk tregon se kur pritet funksionimi. Pritshmëritë ishin që për një vit e gjysmë fabrika të lëshohet në përdorim.

“Për shkak se është një objekt i madh, u bashkuan 4 parcela ekzistuese në zonën e Tetovës. Tashmë procedurat kanë përfunduar dhe është dhënë leja e ndërtimit ku mund të fillojnë aktivitetet ndërtimore”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Kompania, nuk gëzon reputacionin e një prodhuesi të rëndësishëm të makinave elektrike në tregun botërorë. Ajo që këtu u shpall si fabrikë e madhe, në faqen e E-go cilësohet si mikro-fabrikë në Maqedoninë e Veriut./Alsat.mk