Connect with us

Maqedoni

30 vjet e unifikuar, Gjermania angazhohet për multi-lateralizëm

Published

on


Ambasadorja e Gjermanisë, Anke Holshtajn konfirmoi se një nga prioritetet e vendit të saj gjatë presidencës me BE-në mbetet fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut deri në fundvit, ndërsa siguroi se kontestet me Bullgarinë nuk do të jenë pjesë e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut. Në intervistë për Alsat Holshtajn shtoi se vendin e presin reforma të vështira deri në anëtarësimin e plotë në BE, andaj është i domosdoshëm angazhim i të gjitha palëve, duke i lënë në sfond dallimet partiake.

Znj. Holshtajn si e shihni Gjermaninë 30 vjet pas Unifikimit të saj? Çfarë domethënie ka kjo ditë për ju?

Fillimisht, ribashkimi nuk do të ishte i mundur pa mirëbesimin e miqve dhe partnerëve tanë në zhvillimin paqësor dhe demokratik në Gjermani, si dhe pa mbështetjen dhe ndihmën e tyre. Sot, Gjermania është një anëtar i respektuar me rol udhëheqës në Bashkimin Evropian dhe aktualisht kryeson me Këshillin e BE-së. Në botë jemi të vlerësuar për angazhimin tonë këmbëngulës për multi-laterizëm. Rënia e Murit para 31 vitesh paraqet edhe shembjen e “Perdes së hekurt”, që kalonte në mes të Evropës. Në Gjermani kjo ndodhi në mënyrë paqësore, para së gjithash, falë kurajos së qytetarëve të RDGJ-së (Republika Demokratike e Gjermanisë, Gjermania Lindore). Qysh prej asaj kohe, shumë gjëra u bashkuan, por megjithatë ende ekzistojnë dallime. Pa rënien e Murit, unë nuk do isha këtu. U rrita në Gjermaninë Lindore, mora pjesë në protestat e rrugës në Lajpcig për një demokraci më të madhe dhe për më shumë liri qytetare, madje isha pjesë e gjeneratës së parë të gjermanëve të rinj nga të dyja pjesët e Gjermanisë së bashkuar, të cilët ndoqën studimet diplomatike. Në këtë drejtim, në veçanti ndjej keqardhje që për shkak të pandemisë me virusin korona nuk jemi në gjendje të organizojmë një manifestim të bukur dhe të madh me rastin e 30-vjetorit të Ditës së Bashkimit Gjerman. Megjithatë, ne menduam diçka tjetër,  krijuam një video, thelbi i së cilës është një film nga artistë maqedonas, i cili fitoi në garën tonë të vogël me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman. Videoja do të prezantohet sot në ekranin e madh në Sheshin Maqedonia.

 

Gjermania kryeson me Këshillin e BE-së pikërisht në kohën kur pritet fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, por gjithashtu edhe në kohë pandemie, që ka shkaktuar probleme në vetë Unionin. Andaj, cilat janë prioritetet e Gjermanisë në këtë rast dhe sa jeni të fokusuar në zgjerimin e BE-së?

Pandemia dhe lufta kundër saj është vërtetë temë qendrore. Prandaj motoja jonë është: “Së bashku për të rimëkëmbur Evropën”. Pas miratimit, Fondi për rindërtim  fillimisht ishte në qendër të vëmendjes, por gjithsesi edhe mbështetja e miqve dhe partnerëve tanë edhe këtu, në Ballkanin Perëndimor. Temat tjera janë përfundimi i negociatave me Britaninë e Madhe, avancimi i transformimit digjital dhe ekologjik, përforcimi i solidaritetit evropian dhe kohezionit social, përparime në politikën e azilit dhe refugjatëve, përforcimin e sundimit të së drejtës, si një nga shtyllat kryesore të Bashkimit Evropian dhe përforcimin e aftësisë vepruese në nivel global. Kuptohet që dëshirojmë edhe më tej t’i stabilizojmë raportet fqinjësore, ndërkaq rezultati më i rëndësishëm konkret që synojmë të arrijmë, është konferenca e parë ndërqeveritare për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut.

A do të mbahen konferencat e para ndër-qeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë deri në fund të vitit, apo konferenca me Shkupin do të shtyhet shkaku i kërkesës së Sofjes? Pra kontesti mes Shkupit dhe Sofjes a do të reflektohet në kornizën negociuese dhe si?

Është e vërtetë që neve me Maqedoninë e Veriu na bashkon qëllimi që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet para fundvitit. Parakusht për caktimin e datës është unifikimi në Bruksel në lidhje me të ashtuquajturën kornizë negociuese, për të cilën aktualisht po diskutohet. Ne vlerësojmë se çështjet bilaterale duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale. Ato nuk janë pjesë e kornizës negociuese dhe nuk kanë të bëjnë me kriteret anëtarësuese ose me vlerat e Bashkimit Evropian. Bullgaria gjithmonë ka qenë mbështetëse e madhe e evropeizimit të tërë rajonit. Kjo është në interes të vetë shtetit, madje Bullgaria do të përfitonte shumë më shumë nga procesi i zgjerimit, se sa nga bllokimi i mundshëm. Andaj shpresoj shumë se kjo konferencë ndërqeveritare do të mbahet para fundvitit.

Na pret rrugë e gjatë deri në anëtarësimin e plotë në BE, apo jo?! A ekziston ndonjë formulë për shkurtimin e saj rruge? Shpesh na është thënë se kemi ligje të mira, por nuk i zbatojmë mjaftueshëm. Cila do të ishte porosia juaj?

Është e vërtetë se rruga është e gjatë. Progresi i reformave i çdo kandidati për anëtarësim, në mënyrë individuale e përcakton shpejtësinë e procesit të përafrimit, dhe këtu, fatkeqësisht, nuk ka rrugë të shkurtuar. Disa reforma janë të vështira, disa prej tyre të dhimbshme, por e rëndësishme është që masa të gjëra të shoqërisë të kyçen në procesin reformues, njerëzit nuk duhet të ngelin jashtë këtij procesi. Në interes të perspektivës evropiane të gjithë vendit është që, kur bëhet fjalë për çështje politike evropiane, dallimet partiake dhe politike do duhej  të vendosen në sfond.

 

 

Anesa Salihu